Kursimet e shqiptarëve për një pension privat janë në nivele ende të ulëta.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në fund të vitit 2020, çdo kontribuues zotëronte mesatarisht 116 mijë lekë ose rreth 940 euro asete neto në llogarinë e fondit të pensionit. Ky tregues u rrit me afërsisht 13% gjatë vitit 2020.
Shqipëria ka tashmë mbi 31 mijë individë që investojnë në një pension privat, por kontributet mesatare janë në vlera modeste, siç dëshmohet nga treguesi i aseteve neto për anëtar. Veç nevojës për të zhvilluar më tej kulturën e kursimit, mundësitë për të kursyer në shërbim të pensionit janë të kufizuara. Sipas të dhënave më të fundit, paga mesatare në Shqipëri është afërsisht 53 mijë lekë në muaj.
Por, nga ana tjetër, individët kanë kursime të konsiderueshme, të mbajtura në depozita bankare apo letra me vlerë të qeverisë. Pasuria financiare e individëve (llogaritur si diferencë mes mjeteve dhe detyrimeve të tyre financiare) në fund të vitit të kaluar ishte mbi 8 miliardë euro. Në teori, një pjesë e këtyre kursimeve mund të shërbejnë si burim potencial për të zgjeruar investimin në fondet e pensioneve.
Deri tani, anëtarësimi në skemat private është mbështetur kryesisht përmes skemave të ngritura prej kompanive, në formën e përfitimeve për punonjësit. Vetëm në vitet e fundit ka një rritje të numrit të anëtarësimeve mbi baza individuale në këto skema; kjo dëshmon një farë rritje të ndërgjegjësimit lidhur me nevojën për të kompensuar rënien e të ardhurave në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës dhe daljes në pension.
Zmadhimi i tregut të pensioneve, veç nevojës për të rritur mirëqenien dhe ndërgjegjësimin, mund të përmirësohet edhe përmes rritjes së incentivave fiskale. Aktualisht, kontributet në pensione private nuk tatohen deri në një shumë prej 200 mijë lekësh në vit, por sidoqoftë jo gjithmonë ky përjashtim nga tatimi përfitohet, për arsye të mungesë së njohurive nga kontribuuesit, ashtu dhe për arsye të natyrës burokratike, që lidhen me mënyrën sesi duhet bërë derdhja e kontributeve.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe kompanitë administruese të fondeve prej vitesh kërkojnë rritjen e shumës së kontributeve që përjashtohet nga taksat. Sipas disa projektndryshimeve në ligj, të hedhura për konsultim nga qeveria në fillim të vitit të kaluar, shuma e përjashtuar nga taksat rritej nga 200 mijë në 240 mijë lekë në vit. Megjithatë, as ky propozim nuk është miratuar ende.
AMF dhe kompanitë kanë këmbëngulur gjithashtu që në momentin e përfitimit të pensionit privat, përfituesit të mos tatohen për gjithë pensionin, por vetëm për të ardhurat shtesë nga investimi i kontributeve.
Nëse një individ sot përfiton një pension privat, ai do të tatohet i gjithi në masën 15%; ai që quhet përjashtim nga tatimi, në fakt, është thjesht një shtyrje e këtij tatimi, nga momenti i derdhjes së kontributeve në momentin e përfitimit të pensionit. Pavarësisht këtij parimi, fakti që pensioni privat do të tatohet si një e ardhur tjetër e çfarëdoshme mund të jetë një faktor frenues në vendimmarrjen e individëve për të investuar./