Sociologia Marsi Simo e ftuar në emisionin ‘Historia ime’ shprehu frikën se në të ardhmen do të robotë që i ngjajnë shumë njerëzve, dhe njerëzve që i ngjajnë më shumë robotëve dhe nuk do dimë realitetin.
“Kam frikën se e ardhmja do jetë robotë që i ngjajnë shumë njerëzve, dhe njerëzve që i ngjajnë më shumë robotëve dhe nuk do dimë realitetin, nuk do dimë me kë të dashurohemi, nuk do dimë kush është miku jonë. Një lloj frike që ne të shëndetit mendor e mendojmë që tani për t’i paraprirë, ndoshta studimeve dhe kërkimeve. Besoj që kjo do jetë e ardhmja që ne duhet të ndalemi që tani në këto kërkime. Në këtë mënyrë të pashmangshme, kam përshtypjen se nuk duhet të qëndrojmë, por të kërkojmë më shumë nga vetja dhe ku jemi. Për të qëndruar pak edhe në terren për të kërkuar gjëra të vërteta”, është shprehur sociologia.
Gjithashtu ajo ka ngritur një problem mjaft të madh për fëmijët e vegjël që qëndrojnë para ekranit të një telefoni. Marsi shpreh se ky fenomen do jetë ekstremiteti dhe vështirësia më e madhe që psikologët dhe sociologët do iu duhet të përballen.
“Një fëmijë që është 12 muajsh, ku raste edhe më të vegjël që ekspozohen përpara një ekrani, për të ushqyer, për të mësuar shkronjat, për të thënë mami dhe babi, për të mësuar një aktivitet, për ta kaluar kohën dhe për ta lënë mamin dhe babin rehat ose për të kryer ai aktivitetet, kam përshtypjen se ky është ekstremi dhe vështirësia më e madhe që do hasemi ne psikologët ose sociologët përsa i përket jo vetëm studimeve dhe të dhënave por edhe për t’i kthyer ata në normalitetin e fëmijëve tipikë, pra të dhënave që ata duhet të bëjnë sipas moshës.
Ne nuk kemi pse t’i mësojmë fëmijës 3 vjeç anglishten dhe të kënaqemi që fëmija im është super gjeni që ka mësuar anglishten, kur ai nuk di mirë shqipen, kur ai thjesht imiton dhe përsërit fjalët, pra prindërit duhet të kenë këtë lloj kujdesi.
Prindërit duhet të kenë kujdes edhe me adoleshentët që mbyllen në dhomën e tyre dhe nuk mësojnë, por janë pjesë e lojërave shumë të rrezikshme”, ka treguar ajo.