Shqipëria do të furnizohet dhe me vaksinën kineze Coronavac, ose e njohur ndryshe dhe si Sinovac, emri i kompanisë që e ka prodhuar. Qeveria shqiptare ka miratuar një Akt të posaçëm Normativ, i publikuar të martën në Fletoren Zyrtare, ku bëhet e ditur marrëveshja e arritur me “distributorin e autorizuar” Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret”A.Ş., për furnizimin e Republikës së Shqipërisë me vaksinën e inaktivizuar kundër COVID-19 (Vero Cell) Coronavac, të krijuar nga Sinovac Life Science Co Ltd. dhe të prodhuar në Republikën Popullore të Kinës”.
Teksti i marrëveshjes megjithatë do të mbahet i fshehtë. “Marrëveshja për furnizimin ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik dhe “Keymen Ilaç Sanayi veticaret” A.Ş., për shkak të sekretit tregtar dhe kërkesës së shprehur në marrëveshje nga “Keymen Ilaç Sanayi veticaret”, nuk do të publikohet në asnjë website të institucioneve apo në Fletoren Zyrtare”, saktësohet në Aktin Normative të Qeverisë.
Që prej disa javësh autoritetet shqiptare kishin lënë të kuptohej se dhe vaksinat ruse apo kineze do të ishin një alternativë në përpjekjet për të siguruar sasirat e nevojshme. Parlamenti miratoi sot Aktin Normativ që i kishte hapur rrugë bisedimeve për vaksinat e tjera, përtej kontratës me Pfizer-in apo atyre që vendi ka nisur të marrë përmes instrumentit COVAX. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu u shpreh në Parlament se miratimi i Aktit i lejonte ata të përmbyllnin bisedimet e nisura.
Ndonëse në formën e një dhurate nga Emiratet e Bashkuara, mbërritja të hënën e 10 mijë dozave të vaksinës ruse Sputnik V, ishte shenja e qartë se Shqipëria po hapej dhe ndaj vaksinave të tjera në qarkullim, qasja ndaj të cilave mund të rezultojë më e lehtë sesa ndaj atyre që janë miratuar tanimë nga agjencitë amerikane dhe europiane.
“Tashmë që kemi mjaftueshëm evidenca, të dhëna dhe publikime shkencore, sa I përket vaksinave që qarkullojnë në botë, është e nevojshme të kemi mundësi që të diversifikojmë portolin e vaksinave, në mënyrë që të kemi akses të shpejtë e të vijojmë me vaksinimin e popullatës”, shpjegoi zonja Manastirliu.
Deri më tani kontratat me Pfizer-in apo ajo përmes instrumentit COVAX, lejojnë një furnizim të kufizuar prej disa dhjetëra mijëra dozash. Ndërkohë që sipas ministres Manastirliu janë marrë masat që strukturat shëndetësore të jenë gati që “në momentin që të nisë vaksinimi masiv ne të kemi mundësi të aplikojmë deri në 10-12 apo 15 mijë vaksinime në ditë”.
Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur se sa është sasia e vaksinave që parashikohen të vijnë, sipas marrëveshjes së lidhur me distributorin turk, dhe as kalendarin e përafërt të mbërritjes së tyre, Sipas burimeve një sasi e parë e madhe e vaksinës kineze pritet të vijë në ditët e ardhshme për t’u pasuar me një tjetër furnizim po në nivelet e disa qindra mijëra dozave në muajin prill. Deri më tani Coronavac është përdorur në disa vende të ndryshme të botës. Bëhet fjalë për afro 70 milion doza të kryera. Ruajtja e saj nuk kërkon kushte specifike dhe aplikohet me një dozë të vetme.
Deri më tani në vend kanë mbërritur 90 mijë doza vaksinash, prej të cilave janë përdorur mbi 50 mijë, në një proces që ka përfshirë personelin shëndetësor, të moshuarit mbi 80 vjeç, mësuesit apo dhe pedagogët e universiteteve.
Vaksinimit shihet si përgjigja më e efektshme kundër koronavirusit. Në javën e fundit (16 Mars – 22 Mars), situata ka njohur një përmirësim të dukshëm me një ulje të rasteve të reja, viktimave apo dhe shtrimeve në spitale.
Edhe në 24 orët e fundit, numri i rasteve mbeti i ulët, në kuotën e 303 të infektuarve, një shifër që nuk ishte parë që nga mesi i muajit Janar. Ministria e Sëhndetësisë, njoftoi ndërkaq se 11 persona kishin humbur jetën: 5 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Saranda, 1 qytetar nga Fier, 1 qytetar nga Kuçova, 1 qytetar nga Përmeti, dhe 1 qytetar nga Shkodra, moshave 48-91 vjeç.