Televizionet lokale dhe rajonale ka përfituar deri tani rreth 280 mijë euro kompensim për lirimin e frekuencave të tyre analoge, në kuadër të procesit të dixhitalizimit.
Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) bën të ditur se nga 1 milionë euro që është fondi i parashikuar për këta operatorë në ligjin “Për lirimin e frekuencave të Dixhital Dividendit”, më pak se 30% e këtij fondi është shpërndarë. Për të përfituar nga ku fond, operatorët lokalë duhet të përmbushin disa kërkesa, të lidhura kryesisht me shlyerjen e detyrimeve të tyre ligjore.
Pjesa më e madhe e fondit ka shkuar për kompensimin e frekuencave të liruara në allotmentet e Tiranës dhe Fierit. Ky kompensim u konceptua si një formë mbështetjeje për këto televizione, në mënyrë që ato të përballonin tarifën e mbështetjes në rrjetin numerik të Radio Televizionit Shqiptar.
Ligji në fjalë parashikonte një fond prej 5 milionë eurosh kompensim për procesin e kalimit në dixhital, por pjesa dërrmuese prej katër milionë eurosh përfitohej prej operatorëve ekzistues kombëtarë të transmetimeve analoge dhe numerike, për ndryshimin e infrastrukturës dhe teknologjisë së investimit. Ky fond parashikohej të mbulohej nga të ardhurat e siguruara nga dhënia në përdorim e frekuencave të liruara për operatorët e komunikimeve elektronike.
Në fillim të këtij viti, Këshilli i Ministrave miratoi Planin e Ri Kombëtar të Frekuencave, që sanksionon përfundimisht lirimin e frekuencave të tjera nga operatorët televizivë, me qëllim ofrimin e tyre për qëllime të komunikimeve elektronike.
Sipas Planit të ri, brezi 694-790 MHz, do të kalojë përfundimisht nën administrimin e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) duke filluar nga 30 qershori 2022. Brezi 700MHz ose Dividendi Dixhital 2 aktualisht është në përdorim nga operatorët e transmetimeve audiovizive, që duhet t’i lirojnë frekuencat brenda mesit të vitit të ardhshëm.
Pasi frekuencat të kalojnë nën administrimin e AKEP, ato do të mund të tenderohen për ofrimin e shërbimeve 5G nga operatorët celularë. Mes të tjerash, kjo pritet të sjellë një kompensim të mëtejshëm për operatorët e platformave numerike që i shfrytëzojnë aktualisht këto frekuenca.
Gjatë një takimi të organizuar nga AMA në fillim të këtij viti, operatorët kërkuan një kompensim të tillë, me argumentin e ndryshimeve që do të ndodhin në infrastrukurën numerike, dhe të ndikimit financiar që, sipas tyre, do të jetë mjaft i lartë për operatorët kombëtarë numerikë.
Gjithashtu, operatorët kanë kërkuar që zbatimi i kompensimit financiar të ndodhë përpara lirimit të brezit të frekuencave dhe jo pas përfundimit të procesit. Kjo çështje pritet të rregullohet me një ligj të veçantë, siç ndodhi me Dividendin Dixhital 1./ E.Shehu/MONITOR