Administrata e presidentit amerikan Donald Trump është duke hartuar një plan ligjor për minierat në Hënë, nën një marrëveshje të re ndërkombëtare të sponsorizuar nga SHBA e quajtur ndryshe si “Marrëveshjet Artemis”.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, marrëveshja do të ishte përpjekja e fundit për të “kultivuar” aleatët rreth planit të NASA-s për të zbarkuar njerëz dhe stacione hapësinore në Hënë brenda dekadës së ardhshme.
Bëhet e ditur se projekt-pakti nuk është ndarë ende zyrtarisht me aleatët amerikanë.
Administrata e Presidentit Trump, dhe vendet e tjera e shohin Hënën si një pasuri kryesore strategjike në hapësirën e jashtme. Hëna gjithashtu ka vlerë për hulumtime shkencore afatgjate që mund të mundësojë misionet e ardhshme në Mars.
“Marrëveshjet Artemis”, të emërtuara pas programit të ri të Hënës nga NASA, propozojnë “zona të sigurta” që do të rrethonin bazat e ardhshme të Hënës për të parandaluar dëmtimin ose ndërhyrjen nga vendet rivale ose kompanitë që do të mund të veprojnë në afërsi.
Pakti gjithashtu synon të sigurojë një kornizë sipas ligjit ndërkombëtar për kompanitë që të zotërojnë zonat që do të minojnë.
Ndërkaq në javët e ardhshme, zyrtarët amerikanë planifikojnë të negociojnë zyrtarisht marrëveshjet me partnerë hapësinorë, si Kanadaja, Japonia, vendet evropiane si dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, duke hapur bisedime me vendet që administrata Trump, i sheh si “interesa të njëjta” për minierat hënore.
Mirëpo, Rusia një partner i madh i NASA-s në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor nuk do të jetë partner i hershëm në këto marrëveshje thonë burimet, pasi Pentagoni e shikon gjithnjë e më shumë Moskën si armik për të bërë manovra satelitore “kërcënuese” drejt satelitëve spiunë amerikanë në orbitën e Tokës.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë anëtare të Traktatit të Hapësirës së Jashtme që nga viti 1967 dhe i shohin “zonat e sigurisë” si marrëveshje për zbatim. Ata shprehen se trupat qiellorë dhe Hëna nuk janë subjekte të përvetësimit kombëtar me pretendim të sovranitetit, si dhe okupimit të vendit.