Një mafioz turk i cili deri pak kohë më parë organizonte tubime në mbështetje të Presidentit Rexhep Tajip Erdogan dhe gëzonte favore me qarqet pro-qeveritare ka trazuar Turqinë që nga fillimi i majit, duke postuar një seri videosh për të ekspozuar ato që ai i cilëson si lidhje të ngushta midis shtresës së lartë të politikës dhe botës së nëndheshme të krimit. Ai akuzon qeverinë turke për akuza nga më të rëndat, duke përfshirë trafikun e drogës, kontrollin e qarqeve kriminale dhe madje edhe vrasje kundër anëtarëve ose miqve të partisë në pushtet.
Megjithëse nuk është hera e parë që në Turqi përflitet zyrtarët shtetërorë që bashkëpunojnë me kriminelët, pretendimet e rënda kanë nxitur shqetësime mbi transformimin e Turqisë nën udhëheqjen e Erdogan, i cili, thonë kundërshtarët, ka monopolizuar shtetin turk që nga marrja e pushtetit ekzekutiv më të gjerë në 2018.
Sedat Peker, një udhëheqës i dënuar i një bande kriminale i cili, sipas rrëfimit të tij, u largua nga Turqia në fund të vitit 2019 pasi policia nisi hetimet kundër tij, ka shënjestruar në mënyrë të qartë Ministrin e Brendshëm Suleyman Soylu, i cili dyshohet se i kishte premtuar mbrojtje por nuk e mbajti fjalën. Deri në 6 milion njerëz kanë shikuar secilën nga gjashtë videot që Peker ka postuar në YouTube nga Dubai në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke bërë thirrje të opozitës për një hetim parlamentar në pretendimet e tij.
Soylu dhe zyrtarët e tjerë qeveritare i mohojnë akuzat, por për shumë njerëz ato janë shumë të rënda për t’u hedhur poshtë pa hetime paraprake. Mafiozi ka dhënë detaje për të mbështetur pretendimet e tij, duke përfshirë regjistrimet e telefonatave me një gazetar pro-qeveritar i cili, siç thotë ai, ishte ndërmjetësi i tij me Soylu. Ai ka rrëfyer gjithashtu për rolin e tij në incidente të njohura publikisht si goditja e një ish-ligjvënësi dhe një sulm ndaj zyrave të së përditshmes Hurriyet, të cilën ai pretendohet se e organizoi me kërkesë të anëtarëve të Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit të Erdogan (AKP).
Pretendimet e Peker vijnë mes akuzave në rritje për korrupsion në radhët e AKP dhe ka të ngjarë të shkojnë përtej kufijve të Turqisë pasi ato përfshijnë pretendime rreth trafikut ndërkombëtar të drogës, pastrimit të parave dhe lidhjeve të errëta të mafies dhe shtetit.
Nëse është e vërtetë, fotografia që Peker përshkruan shkon përtej korrupsionit siç e njohim ne dhe mund të përshkruhet ndoshta si kriminalizim i aparatit shtetëror. Pretendimet e tij sugjerojnë se grupet e krimit të organizuar janë përdorur në betejat e pushtetit brenda qeverisë si dhe për të përhapur propagandë politike, për të vjedhur vota, për pasurimin e figurave politike, për të manipuluar median dhe për të sulmuar opozitën dhe shoqërinë civile.
Pavarësisht nga detajet e konfliktit që e bëri Peker të flasë, dy faktorë themelorë qëndrojnë në thelb të skandalit.
E para ka të bëjë me kontrollin e ekonomisë së vendit nga krimi i organizuar dhe shteti, e cila thuhet se është zgjeruar jashtëzakonisht në vitet e fundit. Rritja e të ardhurave të paligjshme buron jo vetëm nga sektorë nëntokësorë siç janë prostitucioni, trafiku i drogës dhe kontrabandës së karburantit, por gjithashtu ndikon në shitblerjen e votës, korrupsionin në tenderat publik dhe presionin ndaj ndërmarrjeve të huaja që kërkojnë të bëjnë biznes në Turqi.
Një shtesë e re në rrjedhën e parave të paligjshme ka ardhur pas përpjekjes për grushtit të shteti të vitit 2016. Ankaraja fajësoi predikuesin Fethullah Gulen dhe e cilësoi rrjetin e tij të madh të ndjekësve si një organizatë terroriste, e njohur me shkurtesën FETO. Si pjesë e përndjekjes, kompanitë në pronësi të gulenistëve u sekuestruan dhe u shitën, kryesisht te miqtë e AKP-së. Siç doli më vonë, shumë biznesmenë të akuzuar për lidhje me gulenistët paguanin ryshfete të mëdha për t’i shpëtuar hetimit ose gjykimit.
Sipas burimeve policore të cituara nga faqja e lajmeve T24, paratë e paligjshme vetëm në Stamboll arritën në rreth 10 miliardë dollarë në vitin 2020, ndërkohë që në vitin 2015 ishin vetëm 3 miliardë dollarë.
Arsyeja e dytë është politike. Që nga tranzicioni i Turqisë në një sistem presidencial ekzekutiv në 2018, fuqitë e qeverisë janë rritur në kurriz të përgjegjësisë dhe transparencës ndërsa Erdogan forcoi kontrollin mbi gjyqësorin dhe mediat dhe parlamenti humbi funksionet e tij të mbikëqyrjes. Në një përgjigje të paharrueshme ndaj pyetjeve të opozitës për shpenzimet qeveritare në nëntor, Erdogan tha se ai “nuk [ka] më kohë për të dhënë llogari për gjëra të tilla”.
Kjo ndjenjë e mosndëshkimit shpesh shfaqet në radhët e ulëta të AKP-së dhe mbështetësve të saj gjithashtu. Sipas kritikëve, qeveria po mbulon veprime të panumërta të shkeljes së ligjit dhe korrupsionit, të cilat vështirë se mund të nxirren në dritë për sa kohë që ajo qëndron në pushtet.
Kështu, kapja pas pushtetit është bërë një çështje jete ose vdekjeje për AKP. Pas përçarjes së tij me Gulenistët, Erdogan është rreshtuar me Partinë e Lëvizjes Nacionaliste të ekstremit të djathtë, e cila, nga ana tjetër, ka inkurajuar grupe kriminale me prirje nacionaliste të tilla si ato të Peker të bashkëpunojnë me qeverinë.
Ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë midis skandaleve dhe narrativës nacionaliste që Ankaraja ka ndjekur që prej grushtit të shtetit, duke i cilësuar të gjithë mbështetësit e saj si patriotë dhe të gjithë kundërshtarët e saj si armiq. Në këtë klimë, njerëzit që e shohin veten si mbrojtës besnikë të shtetit dhe poshtërojnë opozitën, pavarësisht nga meritat e tyre profesionale ose integriteti moral.
Rrëfimet e Peker mund të mos kenë një ndikim të menjëhershëm në numrin e mbështetësve të Erdoganit, por ato do të njollosnin në mënyrë të pashmangshme besueshmërinë e qeverisë nëse prokurorët dhe shumica e AKP-së në parlament nuk ndërmarrin veprime për të hetuar pretendimet.
Erdogan ka qëndruar i heshtur në lidhje me akuzat kundër Soylu, të cilat disa i shohin si një shenjë se ai mund t’i kërkojë ministrit të japë dorëheqjen. Soylu, një skifter në çështjet e sigurisë, gëzon shumë popullaritet në mesin e mbështetësve të qeverisë dhe thuhet se gjendet në një luftë për pushtet me dhëndrin e Erdoganit Berat Albayrak. Soylu kishte kërkuar dorëheqjen për shkak të pandemisë në prill 2020, kur refuzonte hyrjen në karantnë, por Erdogan refuzoi dorëheqjen e tij.
Me Peker që premton më shumë dëshmi dhe prova, qeveria po përballet me një test të madh për të treguar përkushtim në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Nëse ajo dështon të përmbajë skandalin, Turqia mund të gjendet në krizën më të madhe politike me të cilën Erdogan është përballur si president.
Al Monitor-SI