Zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si bëhet klasifikimi dhe nga do vijnë fondet për mbështetje

0

Zhvillimi i ndërmarrjeve të mikro, të vogla dhe të mesme është në qendër të një projektligji të hartuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë të nxjerrë për konsultim. Projektligji detajon se pari mënyrën sesi bëhet kategorizimi i ndërmarrjeve duke marrë parasysh numrin e të punësuarve si dhe qarkullimin vjetor.  Sipas sqarimit të bërë në relacionin që shoqëron projektligjin thuhet se kategoria e mikrondërmarrjeve dhe ndërmarrjeve të vogla e të mesme (NMMV) përfshin ato ndërmarrje, ku punësohen më pak se 250 veta dhe që realizojnë një shifër afarizmi dhe/ose një bilanc total vjetor jo më të madh se 250 milionë lekë. Ndërmarrje e vogël quhet një ndërmarrje, ku punësohen më pak se 50 persona dhe e cila ka një shifër afarizmi dhe/ose bilanc total vjetor jo më të madh se 50 milionë lekë. Mikrondërmarrje quhet një ndërmarrje, ku punësohen më pak se 10 persona dhe e cila ka një shifër afarizmi dhe/ose bilanc total vjetor jo më të madh se 10 milionë lekë.

Në kreun e dytë të projketligjit ka një detajim të mënyrave sesi mbështeten nga shteti ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme. Kështu kriteri i personelit është shumë i rëndësishëm për të përfituar ndihmë por mund të ketë edhe elementë të tjerë.

“Format e mbështetjes shtetërore që jepen për ndërmarrjet e mikro, të vogla dhe të mesme përfshijnë kryesisht: a. Mbështetje financiare nga buxheti i shtetit b. Mbështetje financiare nga donatorët vendas apo të huaj ; c. Garanci shtetërore të huasë sipas ligjit në fuqi për borxhin dhe garancitë shtetërore, në zbatim të politikave të veçanta të qeverisë, në përputhje me parimet dhe rregullat fiskale mbi qëndrueshmërinë e borxhit publik si dhe kufizimet e borxhit shtetëror dhe të garancive shtetërore të huave; ç) Shërbime publike për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, sipas përcaktimeve në këtë ligj” thuhet në nenin 10 që sqaron format e mbështetjes.

I njëjti projektligj sqaron se për mbështetjen dhe zhvillimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, krijohet fondi për zhvillimin e ndërmarrjeve, në formën e granteve nga  buxheti e shtetit.

Ky fond përdoret për dhënien e granteve për NMVM për zbatimin e programeve që synojnë rritjen e konkurrueshmërisë, artizanatit, zhvillimin e të mësuarit rreth ndërmarrjes, zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve të reja si rezultat i kërkim-zhvillimit, aksesin në burime financiare, zhvillimin e aftësive të ndërmarrjes, inovacionin, dhe ndërkombëtarizimin dhe zhvillimin e NMVM.

Fondi administrohet nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA).

Garancia shtetërore që mund t’ju mundësoje akses në financim ndërmarrjeve është një tjetër opsion. Në këtë rast projektligji nënvizon se në rastet kur, për të mbështetur kreditimin e ndërmarrjeve, në zbatim të politikave të veçanta të qeverisë, vendoset të lëshohet garanci shtetërore, Këshilli i Ministrave përcakton me vendim fondin, sektorët, kushtet dhe kriteret, për garantimin e huasë për mbështetjen e ndërmarrjeve, me propozim të ministrit përgjegjës për financat dhe ministrit përgjegjës për ekonominë

Artikulli i mëparshëmProcesi i Berlinit/ Maas do të drejtojë konferencën e minsitrave të jashtëm
Artikulli i radhësTatimet kujtojnë bizneset: Pajisuni me certifikatën elektronike, së shpejti fillon fiskalizimi