Katër organizata ndërkombëtare të lirisë së shprehjes i dërguan të premten një letër të hapur kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi ku i kërkojnë tërheqjen e rregullores së re kontroverse që ndalon gazetarët të ndjekin punimet e parlamentit dhe zëvendëson raportimin e pavarur me pamje të gatshme.
BIRN
Organizatat e konsorciumit për Reagim të Shpejtë për çështje të Lirisë së Medias i bënë thirrje të premten kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi të tërheqë rregulloren e re të miratuar për marrëdhëniet me median, duke e cilësuar atë kufizuese për transparencën e parlamentit dhe të dëmshme për demokracinë në vend.
‘Ne me respekt të kërkojmë të tërheqësh këto rregulla të reja dhe të mbash standardet aktualisht të larta për akses të gazetarëve dhe të punonjësve të medias. Çdo ndryshim i ri duhet të prezantohet vetëm pas konsultimeve me organizatat e gazetarëve, sindikatat dhe shoqërinë civile,’ shkruajnë organizatat në letrën e hapur të publikuar online.
Organizatat nënshkruese, Artikulli 19, Qendra Evropiane për Lirinë e Medias dhe të Shtypit (ECPMF), Federata Evropiane e Gazetarëve, (EFJ) dhe Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), janë disa nga organizatat më të mëdha ndërkombëtare të mbrojtjes së lirisë së fjalës në botë.
Letra e tyre erdhi pas shqetësimeve dhe protestave të gazetarëve shqiptarë, të cilët paralajmëruan se Kuvendi i Shqipërisë ka në plan të mbyllë efektivisht dyert për raportim të pavarur dhe po krijon një sistem të ngjashëm me ERTV-në, ku pamjet dhe përmbajtja e raportuar është produkt i administratës së kuvendit dhe jo i gazetarëve dhe kameramanëve.
Kuvendi i Shqipërisë deklaroi fillimisht se rregullorja e tyre, e ndërmarrë pa konsultim dhe e miratuar nga Byroja e Kuvendit më datë 2 qershor, është rrjedhojë e rekomandimeve të Bashkimit Evropian, gjë që u përgënjeshtrua nga zyra e BE-së në Tiranë.
Rregullorja sanksionon që gazetarët do të duhet të qëndrojnë vetëm në një dhomë të caktuar në kryesinë e Kuvendit dhe mund të shoqërohen nga rojet e sigurisë nga hyrja deri te kjo dhomë e anasjelltas. Ndryshe nga gazetarët e medias së zakonshme, gazetarët e Agjencisë Telegrafike Shqiptare dhe të Radio Televizionit Publik do të kenë akses të pakufizuar në parlament. Sipas organizatave, një diskriminim i tillë ‘është arbitrar dhe i pandershëm’. ATSH dhe TVSH janë dy institucione që duhet të jenë politikisht të pavarura, por që historia ka treguar se ato janë nën varësinë e drejtpërdrejtë të pushtetit politik të rradhës dhe përdoren si mjete propagande.
Organizatat ndërkombëtare vlerësojnë se ‘aksesi i barabartë, i ndershëm dhe i papenguar mbi proceset parlamentare është kyçe për demokracinë’.
‘Ne nxisim Kuvendin e Shqipërisë të aderojë në këto parime,’ shkruhet në letër.
Sipas organizatave, ‘këto masa do të kufizojnë aksesin e gazetarëve te ligjvënësit, duke kufizuar mundësinë për të bërë pyetje kritike dhe për të ndërvepruar në mënyrë të kuptimtë.’
Gazetarët kanë shprehur gjithashtu shqetësime se në të shkuarën Kuvendi i Shqipërisë ka demonstruar gadishmëri për të fshirë pamje filmike, gjë që nuk e përjashton rrezikun e censurimit të debateve parlamentare në të ardhmen.