Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Zegjine Sollaku do të përballet të enjten më 1 korrik me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjyqësore që po kryen procesin e saj të vetingut përbëhet nga Xhensila Pine, Lulzim Hamitaj dhe Suela Zhegu.
Zegjine Sollaku ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe ka punuar si gjyqtare e Gjykatës së Tiranës në vitet 1992-2003. Prej vitit 2003, Sollaku e ushtron funksionin në Gjykatën e Apelit të Tiranës.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar nga gjyqtarja Zegjine Sollaku nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]
Në deklarimin për herë të parë në vitin 2003, gjyqtarja Zegjine Sollaku deklaronte pasuri familjare me vlerë 7.4 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria familjare kap vlerën e 97.7 milionë lekëve.
Ajo deklaron familjarisht pasuri të paluajtshme me vlerë 88.3 milionë lekë, likujditete bankare prej 8 milionë lekësh dhe automjet me vlerë 1.4 milionë lekë.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 204.5 milionë lekë, me burim kryesor punën e bashkëshortit si avokat në masën 75%. Të ardhurat nga paga e Znj. Sollaku zënë 9.5% të totalit, ndërsa të ardhurat nga puna e familjarëve llogariten në masën 14%.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit, njëra prej deklaratave rezultoi me probleme.
Subjekti Zegjine Sollaku rezulton me burime të pamjaftueshme për të mbuluar shtesën e aseteve në vitin 2013 në shumën 87,675 lekë, pa llogaritur në këtë analizë shpenzimet vjetore për konsum familjar.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi disa “flamuj të kuq”, të cilët lidhen kryesisht me transaksionet financiare për blerjen e pasurive të patundshme.
Në vitin 2003, subjekti deklaron një pagesë në vlerën 60,000 USD ndaj një kompanie ndërtimi, për një apartament 3+1 të porositur në vitin 2001. Në vitin 2005, ajo sqaron se pagesa prej 60,000 dollarësh lidhej me blerjen e dy apartamenteve me sipërfaqe 135m2 dhe 60m2 si dhe një garazhi në Tiranë, prona të cilat vlerësohen në total me 8,682,000 lekë.
Në vitin 2008, subjekti deklaron pagesën e një kësti të mbetur prej 30,000 eurosh ndaj një kompanie ndërtimi për një apartament, për të cilin shpjegon se e ka deklaruar një vit më parë. Megjithatë, në deklaratën e vitit 2007 nuk rezulton të jetë deklaruar as apartamenti dhe as vlera e plotë e tij.
Në vitin 2009 deklarohet një automjet Mercedez Benz në pronësi të subjektit tregtar të bashkëshortit në shumën 42,000 euro, e cila nuk është përfshirë në analizë pasi duhet të pasqyrohej në bilancin e biznesit.
Në vitin 2013, deklarohet kredi bankare në shumën 193,000 euro, e përdorur për blerjen e apartamenteve nga TID shpk si dhe për nevoja të biznesit të bashkëshortit – nuk është e qartë sa është përdorur për biznesin dhe sa për blerjen e apartamenteve.
Në vitin 2016, subjekti deklaron shitjen e një apartamenti prej 52.3 m2 në kompleksin “Xixa” në Golem me vlerë 2,000,000 lekë, i cili nuk rezulton të jetë deklaruar në vitet e mëparshme./BIRN
Deklarata e pasurisë së vitit 2003
Deklarata e pasurisë së vitit 2004
Deklarata e pasurisë së vitit 2005
Deklarata e pasurisë së vitit 2006
Deklarata e pasurisë së vitit 2007
Deklarata e pasurisë së vitit 2008
Deklarata e pasurisë së vitit 2009
Deklarata e pasurisë së vitit 2010
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017