Tenderi 2.8 miliard/ Naqellari refuzon ofertën e SPAK për t’u penduar, deklarohet e pafajshme

0

9 zyrtarë të Ministrisë së Brendshme u arrestuan për shkeljet në tenderin me vlerë 2.8 miliardë lekë për uniformat e policisë. Akuzat janë se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata favorizuan në mënyrë të padrejtë në kualifikimin e kompanisë fituese, duke i dhënë të njëjtën shumë parash, edhe pasi kishin ulur numrin e artikujve për t’u prodhuar.

Nga dosja e SPAK doli se megjithëse sasia e materialeve të blera u ul me një shifër të konsiderueshme, 239 mijë njësi më pak, shifra prej 2.8 miliard lekësh nuk ndryshoi.

Por pas arrestimeve të zyrtarëve të ministrisë, shumëkush ngriti pyetjen: A mund të zhvillohej një tender i tillë, ku ishin në lojë 2.8 miliard lekë pa dijeninë e Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, apo të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme në atë kohë, Plarent Ndrecaj?

Të dy këta i kishin dalë në mbrojtje procedurave të tenderit përballë akuzave të opozitës, madje Ndrecaj depozitoi edhe një padi për shpifje ndaj opozitës, me pretendimin se po hidhej baltë mbi institucionin.

Për të shkuar në nivele më të larta arrestimesh, prokurorëve të SPAK u duhej një bashkëpuntor nga radhët e të arrestuarve, që do të tregonte nëse kishte pasur një dirigjim nga drejtuesit politikë të ministrisë, në kryerjen e procedurave të tenderit.

Në media u raportua se organi i akuzës iu ofroi statusin e bashkëpuntorit të drejtësisë për të paktën 2 nga të arrestuarit. Por nga dëshmia e publikuar sot nga gazetari Ermal Vija del se, njeriu kyç në tenderin e uniformave, Drejtoresha e Agjensisë së Blerjeve të Përqëndruara Edlira Naqellari e ka refuzuar bashkëpunimin dhe është deklaruar e pafajshme, duke mbrojtur të gjitha procedurat e tenderit. Më poshtë është një pjesë e dëshmisë së saj, ku ajo i përgjigjet akuzave për uljen e numrit të artikujve, megjithëse fondi prej 2.8 miliard lekësh mbeti i njëjtë për tenderin. Naqellari thotë se ka zbatuar gjithmonë ligjin dhe se Policia e Shtetit kishte të drejtën që të bënte disa herë furnizime në bazë të nevojave të saj. Me pak fjalë, Naqellari merr mbi vete të gjithë përgjegjësinë për shkeljet në tender, nëse këto do të provohen në gjykatë, dhe ndryshe nga çfarë prisnin prokurorët, nuk ka rrëfyer për asnjë presion apo ndikim nga zyrtarët e lartë të Ministrisë.

Pjesë nga dëshmia e Edlira Naqellarit

Në lidhje me ndryshimin e fondit limit, mesa mbaj mend që ishte te pjesa e vendimit, fondi i përgjithshëm i marrëveshjes kuadër ka qenë i publikuar me datë 26.7.2019 në vlerën rreth 2 miliard e 800 milion lekë të reja pa TVSH dhe i tillë ka ngelur i pandryshuar deri në fund të procedurës dhe nënshkrimin e marrëveshjes kuadër. Marrëveshja kuadër nuk ka sasi fikse. Për më tepër vetë dokumenti marrëveshja kuadër e nënshkruar midis Agjencisë së blerjeve të përqendruara dhe operativ ekonomik fitues në një nen të saj parashikon që autoriteti kontraktor Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së shtetit ka të drejtë të kontraktojë, të furnizohet më pak për disa artikuj, më shumë për disa të tjerë ose asnjë nga ato artikuj mallrash që janë të prokuruar. Edhe pretendimi për ndryshimin e sasive apo përshtatjen që ka bërë struktura e njësisë së prokurimit për përshtatjen e sasive është në përputhje të plotë me çfarë marrëveshja kuadër parashikon, sasi të pritshme, sasi orientuese, jo sasi fikse.
Në lidhje me situatën time, dua të sqaroj që kam njohuri shumë të mira në fushën e prokurimit publik që në vitin 2005. Nuk kam pasur asnjëherë asnjë lloj problematike në ushtrimin e detyrave të mia. Kam zbatuar gjithmonë ligjin dhe kështu ka qenë edhe rasti konkret. Situata që më është shkaktuar tani me kërkesën e prokurorit dhe me vendimin tuaj për arrestin me burg, nuk ka shqetësuar vetëm mua, nuk ka cenuar vetëm shëndetin apo gjendjen time psikologjike, por edhe atë të familjes time. Masa që është kërkuar dhe vendosur në rastin konkret është absurde, e paligjshme dhe nuk është e mbështetur në ligj, nuk ka asnjë argument, nuk ka asnjë fjalë apo fjali në ato akte që më janë vënë në dispozicion që unë të ngarkohem me një shkelje të caktuar ligjore. Secila strukturë që është përfshirë në procedurën e prokurimit ka kryer vetëm detyrën e saj në mënyrë të pavarur në zbatim të ligjit. Nga ana e të gjithë punonjësve ju garantoj për këtë, nuk është favorizuar askush, përkundrazi ju është dhënë mundësia për të marrë pjesë dhe për të ofertuar të gjithë. Nëse do të merrni dhe të shikoni statistikat niveli i pjesëmarrjes së operatorëve ekonomik është një procedurë shumë e lartë. Marrëveshja kuadër nuk sjell dëm ekonomik sepse me një afat dhe fond të caktuar, autoritetet kontraktore lidhin kontrata për aq sasi sa kanë nevojë në atë kohë kur kanë nevojë. Fondi i marrëveshjes kuadër nuk i është paguar fituesit. Brenda atij fondi sipas nevojave që do të kenë vetë punonjësit e policisë së shtetit do të lidhen kontrata rast pas rasti sipas nevojave të tyre specifike, brenda kësaj periudhe 4-vjeçare dhe kjo nuk do të thotë që fondi as do të tejkalohet dhe as do të realizohet i gjithi dhe as do të abuzohet me të.

Çfarë thanë Sandër Lleshaj dhe Plarent Ndreca për abuzimet me tenderin

Pas arrestimeve në zyrat e Ministrisë së Brendshme të dy mohuan dijeninë për shkeljet në tender. Si Sandër Lleshaj, ashtu edhe Plarent Ndreca, thanë se nuk dinë gjë. Lleshaj shpërndau një reagim për mediat, në të cilën shprehej: “Si Ministër i Brendshëm nuk kam pasur as ndonjë shtysë personale dhe mbi të gjitha kurrfarë autoriteti ligjor për të ndërhyrë në asnjë procedurë konkrete prokurimi të zhvilluar nga Agjencia e Blerjeve te Përqëndruara, përfshirë natyrisht edhe atë për uniformat e Policisë së Shtetit. Sistemi i prokurimit në Shqiperi ka autoritetet e veta te administrimit, të menaxhimit, të kontrollit dhe të ankimimit, ku ministri nuk ka rol”

Ish-sekretari i Ministrisë së Brendshme, Plarent Ndrecaj reagoi një ditë pas Lleshajt. Edhe ai tha se nuk dinte asgjë. “Unë nuk kam pasur dijeni mbi procedurat konkrete, pasi procedurat konkrete ndiqen nga një agjenci e krijuar me VKM të posacme, e cila ndjek të gjitha procedurat e prokurimeve në mënyrë të përëndruar për të gjithë institucionet shtetërore, jo vetëm për Ministrinë e Brendshme. Pra, unë nuk kam pasur dijeni proceduriale, për hapat proceduriale që mndodhin në këtë procedurë konkrete. Sigurisht që kam pasur dijeni në kuptimin e shpenzimit të fondit apo mundësisë për të ardhur uniformat në magazinat e policisë së shtetit pasi ishte një mall i nevojshëm dhe i domosdoshëm. Në këtë kuptim kam pasur informacion a po ndodh. Kaq. Unë nuk kam pasur dijeni konkrete për hapat e kësaj procedure” u shpreh Ndrecaj.

Artikulli i mëparshëmTIA: Pasagjerët që udhëtojnë drejt Athinës dhe Kretës duhet të ndjekin këtë procedurë
Artikulli i radhësPD në rreth vicioz