Partia Socialiste e Shqipërisë ka nisur një fushatë të re për të mbledhur informacion mbi miqtë dhe të afërmit e punonjësve të administratës publike që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, duke synuar patronazhimin e tyre për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2025. Këto veprime kanë shkaktuar reagime dhe kritika të shumta, ndërsa sinjalizimet se punonjësit janë nën presion po shtohen dita-ditës.
Jamarbër Malltezi, kreu i departamentit për mjedisin në Partinë Demokratike, publikoi së fundmi një mesazh të dërguar nga Partia Socialiste për punonjësit e administratës. Në mesazh kërkoheshin emrat dhe adresat e pesë anëtarëve të familjes apo miqve të tyre që jetojnë jashtë vendit, për t’i përfshirë në patronazhimin zgjedhor. Malltezi, në rrjetet sociale, denoncoi këtë veprim duke e quajtur “antiligj në veprim.”
“Punonjësve të administratës shtetërore u kërkohet të sjellin listat me të paktën pesë persona jashtë shtetit që duhet të deklarojnë votën e tyre për PS. Vota është e fshehtë sipas Kushtetutës, por kur ligjin e shkel Edi Rama, SPAK-i fshihet dhe nuk guxon të hetojë krimet zgjedhore,” shkruan Malltezi, duke iu referuar dosjeve të mëparshme zgjedhore që përmbanin prova për manipulime.
Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse kjo skemë e re do të funksionojë me emigrantët. Duke qenë se ata jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, socialistët mund ta kenë më të vështirë t’i shantazhojnë përmes vendit të punës, legalizimeve apo ndihmave ekonomike. Kjo përpjekje për të përdorur punonjësit e administratës si instrument për të ndikuar në votën e emigrantëve mund të kthehet në një efekt të kundërt për Partinë Socialiste, duke shtuar zemërimin dhe rezistencën ndaj kësaj praktike.
FAQJA KRYESORE POLITIKË Partia Socialiste nën kritika për mbledhjen e listave të emigrantëve: presion ndaj...