Operacioni ndërkombëtar zbulon skemën e pastrimit të parave të klanit Çopja, investime në ndërtim dhe vila luksoze

0

Një operacion ndërkombëtar ka rezultuar në arrestimin e Klajdi Merkajt, i cili akuzohet për pastrimin e parave për klanin kriminal Çopja. Merkaj, në kërkim ndërkombëtar për llogari të drejtësisë shqiptare, u ndalua më 16 tetor në Romë, me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Sipas autoriteteve, Merkaj ishte një ndër figurat kyçe të pastrimit të parave për klanin Çopja, i njohur për aktivitete kriminale që përfshijnë trafikimin ndërkombëtar të kokainës dhe ekzekutime me pagesë. Komunikimet e përgjuara mes Merkajt dhe Franc Çopjes përmes aplikacionit Sky ECC kanë zbuluar detaje të mëtejshme rreth përfshirjes së tij në këtë rrjet të mirëorganizuar.

Paralelisht, gjykatat shqiptare kanë lënë në fuqi masën e sekuestros për disa pasuri të rëndësishme, përfshirë prona të lidhura me emra si Arben Lamçja, Arjon Ormenaj, dhe shoqëri si “Elba Beton” dhe “Hotel Demis”. Këto masa u ndërmorën pas operacionit të datës 31 korrik, ku Prokuroria e Posaçme kërkoi arrestimin e 33 individëve, duke ndaluar vetëm 11 prej tyre.

Merkaj dhe pastrimi i parave

Në vitin 2020, Merkaj po përgatitej për të zgjeruar biznesin e tij të ndërtimit në Tiranë, me ambicie për të ndërtuar një kompleks vilash luksoze në zonën e Lundrës. Por për të siguruar financimet e nevojshme, ai kontaktoi me Franc Çopjen, një figurë qendrore në trafikun e drogës. Çopja, i njohur si Franc Gergely, dyshohet se ka financuar bizneset e Merkajt me para të gjeneruara nga veprimtaritë e paligjshme të grupit të tij.

Komunikimet e përgjuara mes dyshes përmes Sky ECC kanë zbuluar planet e Merkajt për të investuar në projekte të mëdha ndërtimi dhe për të zgjeruar ndikimin e tij në sektorin e ndërtimit në Tiranë. Ndërsa një pjesë e këtyre projekteve financohej me para të pastruara përmes klanit Çopja, hetuesit besojnë se shumat e mëdha të parave janë futur në ekonomi përmes investimeve në pasuri të paluajtshme dhe troje në zona strategjike të kryeqytetit.

Investimet e dyshimta në ndërtim dhe vilat luksoze

Sipas burimeve të hetimit, Çopja ka sjellë të paktën 7.5 milionë euro në Shqipëri gjatë vitit 2020, që janë investuar në ndërtimin e një pallati pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe në blerjen e vilave në komplekse të njohura, përfshirë zonën Mandarine Drive pranë TEG-ut. Më vonë, hetuesit besojnë se Çopja ka investuar mbi 15.4 milionë euro të tjera në blerjen e lingotave të arit, duke përdorur të njëjtin rrjet të pastrimit të parave.

Skema e pastrimit përmes exchange dhe bizneseve ndërtimore

Përveç ndërtimit, rrjeti kriminal i klanit Çopja përfshinte dhe përdorimin e pikave të këmbimit valutor si mjete për pastrimin e parave. Dy prej figurave kryesore në këtë skemë ishin Bashkim Lika dhe Maklen Mici, pronarët e pikës së këmbimit valutor “B.Lika, Çimi & Keni” përballë Bankës së Shqipërisë. Prokuroria ka zbuluar se në një rast, Mici ka mbajtur në këto ambiente mbi 2.3 milionë euro që i përkisnin Franc Çopjes, një pjesë e të cilave u tërhoq më pas nga bashkëpunëtorët e tij.

Këto zbulime janë pjesë e një hetimi të gjerë ndërkombëtar të koordinuar nga Europol, i cili ka shënjestruar grupet kriminale shqiptare të angazhuara në trafik droge dhe pastrim parash. Sipas hetimeve, organizata përdorte rrjete komplekse financiare dhe transaksione ndërkombëtare për të futur paratë kriminale në tregun shqiptar, veçanërisht në sektorin e ndërtimit.

Ky operacion pritet të ketë ndikim të madh në luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave në Shqipëri. Arrestimi i Klajdi Merkajt dhe sekuestrimet e mëdha të pasurive janë vetëm fillimi i një procesi që synon të shkatërrojë rrjetin kriminal të klanit Çopja.

Artikulli i mëparshëm“Mbytja e fjalës së lirë”: Spiropali “dhunon” opozitën dhe gazetarët, Garda e Republikës ndalon hyrjet në Kuvend
Artikulli i radhësIsh-këngëtari i One Direction, Liam Payne, humb jetën pas rënies tragjike nga ballkoni i hotelit në Buenos Aires