Përdorimi i buxhetit të shtetit për përfitime elektorale, alarm për demokracinë në Shqipëri

0

Instituti Shqiptar i Shkencës ka zbuluar në një studim të ri se buxheti i shtetit në vitet zgjedhore përdoret për të ndikuar elektoratin përmes rritjes së shpenzimeve publike, punësimeve dhe shpërblimeve. Praktika të tilla, sipas ekspertëve, minojnë konkurrencën politike dhe transparencën në qeverisje.

Aranita Brahaj, drejtuese e institutit, theksoi se programet e rindërtimit pas tërmetit të 2019-ës dhe grantet individuale janë keqpërdorur për qëllime elektorale. “Shpërblimet për pensionistët janë dyfishuar këtë vit, me një bonus të ri që planifikohet për pranverën e 2025-ës, një periudhë zgjedhore,” u shpreh ajo.

Eksperti ligjor Viktor Gumi kritikoi përdorimin e vazhdueshëm të akteve normative për të devijuar procedurat standarde të prokurimit publik, duke e cilësuar këtë praktikë si një mekanizëm për përfitime politike. “Ligji ekzistues për prokurimin publik është i mjaftueshëm dhe i vlerësuar ndërkombëtarisht. Pse të aplikohen rregulla të posaçme për vite të tëra?” pyeti ai.

Ekspertja e ekonomisë Lindita Lati ngriti shqetësime mbi manipulimin e deficitit buxhetor dhe transparencën e ulët në shpenzimet publike gjatë viteve zgjedhore, duke theksuar pasojat negative mbi ekonominë dhe besimin e qytetarëve ndaj institucioneve.

Studimi rekomandon masa urgjente për të ndaluar abuzimet, përfshirë kufizimin e përdorimit të akteve normative dhe krijimin e mekanizmave të fortë ligjorë për të parandaluar keqpërdorimin e buxhetit në periudha zgjedhore. Komisioneri Ilirjan Celibashi nënvizoi nevojën për një kod të ri zgjedhor dhe reforma të thella në kuadrin ligjor për zgjedhjet.

Këto gjetje theksojnë rrezikun që paraqet politizimi i buxhetit të shtetit për demokracinë shqiptare dhe përforcojnë thirrjet për veprime konkrete që garantojnë ndershmërinë dhe transparencën në proceset elektorale.

Artikulli i mëparshëmBerisha paralajmëron bllokimin total të Tiranës më 23 dhjetor
Artikulli i radhësUNESCO paralajmëron: Ohri drejt futjes në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik