Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka reaguar pas pezullimit të procesit për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së, duke bërë thirrje për një garë të drejtë dhe transparente, të bazuar në meritë.
Pas kritikave të forta nga politika dhe shoqëria civile, Këshilli Drejtues i RTSH-së vendosi të pezullojë vendimin për skualifikimin e tetë nga dhjetë kandidatët, mes tyre edhe gazetarë të njohur. Ky vendim erdhi pas thirrjes së Komisionit Parlamentar të Medias për të rishikuar procesin.
Në një mbledhje urgjente, Këshilli vendosi që vendimmarrja të shtyhet deri pas seancës dëgjimore në Komisionin e Medias, e cila pritet të mbahet javën e ardhshme. Paralelisht, u anulua edhe seanca dëgjimore e planifikuar me dy kandidatët e mbetur.
Votimi i mëparshëm, i cilësuar si i paligjshëm, nxiti reagime të ashpra në Kuvend, ku PD dhe PS paralajmëruan masa ndaj Këshillit nëse nuk rikthehet një proces i drejtë. Për momentin, gara për kreun e RTSH mbetet e pezulluar, në pritje të vendimeve të reja.