Milan ka bërë lëvizjen e fundit në merkaton e janarit, duke siguruar shërbimet e sulmuesit meksikan Santiago Gimenez nga Feyenoord. Edhe pse klubi holandez u përpoq ta mbante lojtarin, dëshira e tij për të veshur fanellën e kuqezinjve ishte vendimtare në finalizimin e marrëveshjes.
Gimenez pritet të mbërrijë në Milano këtë të shtunë, ndërsa të dielën do t’i nënshtrohet vizitave mjekësore dhe do të ndjekë nga shkallët e “San Siro” derbin e madh mes Milanit dhe Interit. Transferimi i tij i ka kushtuar Milanit 40 milionë euro. Ndërkohë, klubi kuqezi synon të mbyllë edhe transferimin e Alvaro Morata-s te Galatasaray në orët e fundit të merkatos.
Al Nassr rrit ofertën për Leao, Milan vendos kushtin e klauzolës
Pavarësisht afrimit të Gimenez, Milan mund të humbasë një nga yjet e tij kryesorë. Klubi saudit Al Nassr ka rritur ofertën për Rafael Leaon, duke e çuar atë nga 85 milionë në 100 milionë euro. Megjithatë, kjo shumë nuk mjafton për Milanin, që nuk pranon të negociojë për largimin e sulmuesit portugez.
E vetmja mënyrë për ta rrëmbyer Leaon është pagesa e klauzolës së tij prej 175 milionë eurosh, por edhe në këtë rast, vendimi final do t’i takojë vetë lojtarit, i cili deri më tani nuk ka dhënë asnjë sinjal për një transferim në Arabinë Saudite.
Mbetet për t’u parë nëse Milani do të arrijë të ruajë balancën mes forcimit të skuadrës dhe shmangies së largimeve të bujshme në këtë merkato.