Tragjedi në Gjakovë: Tre të mitur humbin jetën pas shembjes së një ndërtese

0

Një ngjarje tragjike ka tronditur fshatin Jabllanicë të Gjakovës, ku tre të mitur kanë humbur jetën pas shembjes së një shtëpie të pabanuar. Viktimat janë Ideal Ramaj, Ramë Mehmetaj dhe Veton Morina, të moshës 13 dhe 15 vjeç.

Sipas njoftimit të Policisë së Gjakovës, ngjarja ndodhi më 1 shkurt 2025, rreth orës 22:50. “Pllaka e një shtëpie të pabanuar është shembur, duke zënë poshtë tre fëmijë. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë njësitë policore, ekipet emergjente dhe zjarrfikësit. Personeli mjekësor konstatoi vdekjen e viktimave në vendngjarje. Hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit për të përcaktuar shkaqet e shembjes dhe përgjegjësitë e mundshme,” thuhet në deklaratën e policisë.

Reagime të forta pas tragjedisë

Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik dhe institucionet vendore. Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, shprehu dhimbjen e tij për humbjen tragjike të tre fëmijëve. “Nuk ka fjalë që e shprehin dhimbjen! Le të bëjmë krejt çka mundemi që të jemi me familjet në këto çaste të rënda! Qofshin të parajsës engjujt!”, deklaroi ai.

Ndërkohë, ngjarja ka ngritur shqetësime mbi sigurinë e objekteve të braktisura dhe nevojën për masa parandaluese për të shmangur tragjedi të ngjashme në të ardhmen.

Hetimet po vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj tragjedie.

Artikulli i mëparshëmSali Berisha udhëton drejt Gjermanisë për herë të parë pas heqjes së masës së arrestit
Artikulli i radhësTiranë: Goditet një tjetër rrjet mashtrimi me call center, arrestohen 6 persona