Kryetari i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), Leka Bungo, ka pranuar sot në Komisionin e Medias se ka pasur shkelje ligjore në procesin e përzgjedhjes së drejtorit të ri të institucionit.
Gjatë fjalës së tij, Bungo ka pohuar se procesi ka qenë i manipuluar që në fillim dhe ka sulmuar drejtoreshën e përkohshme të RTSH-së, Aurora Polo, duke argumentuar se ajo nuk plotësonte kriteret për të kandiduar për këtë post.
“Paligjshmëria në këtë proces është e qëllimshme dhe anëtarët e Këshillit Drejtues e kanë të qartë. Emërimi i Aurora Polos si kandidate për drejtoreshë është bërë me shkelje dhe nuk duhej të ndodhte,” tha Bungo.
Këto deklarata pritet të ndezin më tej debatin mbi transparencën dhe ligjshmërinë në menaxhimin e RTSH-së, ndërkohë që Komisioni i Medias ka kërkuar sqarime të mëtejshme mbi procedurat e ndjekura për këtë zgjedhje.