Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV se mungesa e konkurrencës në sektorin bankar shqiptar ka krijuar një sistem oligopolistik, ku disa banka të mëdha kontrollojnë tregun dhe ndikojnë në çmimin e shërbimeve financiare.
“Në sistemin bankar mungon konkurrenca. Funksionojnë si oligopol dhe fiksojnë tregun. Më thoni se cila është banka më e mirë dhe pse? Është e vështirë ta gjesh, përveçse prej numrit të klientëve dhe volumit të transaksioneve, por që nuk lidhen me cilësinë dhe koston e shërbimeve për qytetarët.” – tha Preçi.
Sipas tij, ndonëse sektori bankar është konsoliduar gjatë 35 viteve të fundit, tarifat dhe normat e interesit të bankave mbeten të larta, duke dëmtuar konkurrencën dhe duke mos u ofruar klientëve shërbime më të mira me çmime më të ulëta.
Tarifat e larta të bankave në Shqipëri krahasuar me Perëndimin
Gazetarja Ola Xama ka publikuar një analizë mbi tarifat e larta të bankave shqiptare, duke i krahasuar me bankat në vendet perëndimore. Ajo theksoi se komisionet për transfertat bankare, kartat dhe kreditë janë shumë më të larta në Shqipëri se në vendet e BE-së.
“Po na rrjepin! Shqiptarët paguajnë tarifa shumë më të larta për shërbimet bankare sesa qytetarët e vendeve të zhvilluara, ndonëse të ardhurat në Shqipëri janë shumë më të ulëta.” – u shpreh Xama.
Ajo solli si shembull një tarifë të zakonshme për transfertat bankare, ku në disa banka shqiptare kostoja është mbi 5 euro, ndërsa në vendet e BE-së është shumë më e ulët ose falas për transfertat brenda një banke.
BKT dhe blerja e borxhit të qeverisë për përfitime financiare
Në një tjetër analizë, Ola Xama ngriti shqetësimin për blerjen e borxhit të qeverisë nga BKT, duke e konsideruar këtë një strategji për të rritur fitimet e bankës në kurriz të qytetarëve.
“BKT po blen borxhin e qeverisë për të siguruar fitime të larta dhe të garantuara, ndërkohë që kreditimi për bizneset dhe individët mbetet i kufizuar.”
Sipas saj, kjo praktikë i lejon bankave të rrisin fitimet e tyre pa rrezik, duke mos e orientuar kapitalin drejt ekonomisë reale dhe investimeve produktive.
A është sistemi bankar në Shqipëri një “kartel” financiar?
Diskutimet mbi sistemin bankar shqiptar po intensifikohen, me ekspertët që paralajmërojnë se mungesa e konkurrencës, tarifat e larta dhe përqendrimi i fuqisë në disa banka të mëdha po dëmtojnë klientët dhe ekonominë.
Ekspertët e financave kërkojnë masa për të rritur transparencën, zvogëlimin e tarifave dhe lehtësimin e aksesit në kredi për bizneset dhe individët, në mënyrë që sistemi bankar të jetë më i drejtë dhe efikas për qytetarët.