Berisha: Nëse fitoj zgjedhjet, SPAK do të shpërbëhet!

0

Kreu i PD-së kërcënon me shpërbërjen e Prokurorisë së Posaçme

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se nëse vjen në pushtet pas zgjedhjeve të 11 majit, do të shkrijë SPAK-un, duke e cilësuar atë si një organizatë kriminale që mbron lidhjet mes politikës dhe krimit.

Sipas tij, kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, është i paguar nga kriminelë dhe pasuria e tij është e pajustifikuar.

Berisha: “SPAK-u është një strukturë kriminale”

Në një dalje publike, Berisha u shpreh:

“Ne, me ndihmën e Komisionit të Venecias, do t’i rikthejmë pavarësinë drejtësisë shqiptare dhe do të çmontojmë organizatën kriminale që unë e quaj ‘SKAP-i i partisë’. Shqiptarët e panë me dokumente se çfarë skandalesh ka ky mercenar për apartamentet e tij. Si është e mundur që dikush me një pagë shtetërore të ketë tre apartamente? Këto janë para korrupsioni, para ryshfeti!”

Berisha e akuzoi drejtuesin e SPAK-ut për një jetesë luksoze të dyshimtë, duke deklaruar se çmimet e pasurive të tij janë të manipuluara dhe se prokuroria ka mbyllur dosje të rëndësishme të krimit të organizuar në këmbim të parave.

Akuzat për korrupsion dhe lidhje me krimin

Ish-kryeministri theksoi se SPAK ka favorizuar figura të lidhura me krimin, duke përmendur rastin e Ymer Lalës, i cili sipas tij, është shpëtuar nga ndjekja penale në këmbim të një ryshfeti prej një milion eurosh.

“Shqiptarët do të mësojnë të gjitha lidhjet mes politikës dhe krimit përmes një Komisioni të së Vërtetës. Dosjet janë të ndara në kategori. Ata i mbajnë, i hapin kur duan, i përdorin për të mjelë kë të duan!” – tha Berisha.

SPAK, institucioni më i besueshëm në sondazhe

Ndërkohë, sipas sondazheve, SPAK është një nga institucionet më të besuara nga qytetarët, me një mbështetje të gjerë publike.

Opozita, duke përfshirë Berishën, ka ndërmarrë një sulm frontal ndaj prokurorisë së posaçme, ndërsa Partia Socialiste e përdor reputacionin e SPAK-ut për të rritur mbështetjen e saj elektorale.

Artikulli i mëparshëmTelefonata e fundit e Romario Brungës: “Kam një problem të madh”
Artikulli i radhësMashtrimi ndaj biznesmenit nga Lushnja: Si humbi 6 mijë euro duke menduar se ndihmonte kryetarin e bashkisë