![](https://aktualitet.al/wp-content/uploads/2025/02/Britain-refugee-take-more-migrants-Oxfam-610418.jpg)
Kryeministri Edi Rama vazhdon të sillet si një pronar absolut i Shqipërisë, duke marrë vendime pa asnjë konsultim publik apo institucional. Në një intervistë për median spanjolle El Mundo, ai deklaroi se refugjatët afganë që ndodhen në Shqipëri mund të qëndrojnë për sa kohë të duan.
Një deklaratë e tillë vjen pa një debat në Parlament, pa një vendim qeveritar dhe pa marrë parasysh mendimin e qytetarëve shqiptarë, të cilët do të mbajnë mbi supe koston e këtyre vendimeve të njëanshme. Shqipëria, një vend i vogël me sfida të shumta ekonomike dhe sociale, tani po shndërrohet në një strehë të pakufizuar për këdo që kryeministri vendos të pranojë, ndërsa qytetarët shqiptarë vazhdojnë të përballen me varfëri dhe emigracion masiv.
Duket qartë se Rama e sheh Shqipërinë si një pronë private, ku mund të marrë vendime pa llogaridhënie, transparencë apo respekt për institucionet demokratike. Ky është një tjetër tregues i qartë i një qeverisjeje që po e transformon gjithnjë e më shumë vendin në një regjim personalist, ku një individ merr vendime për fatin e një kombi, duke injoruar ata që e kanë zgjedhur – qytetarët shqiptarë.
A po shndërrohet Shqipëria në një kamp refugjatësh?
Paralajmërimet për këtë skenar nuk vijnë vetëm nga oponenca e brendshme. Gazetarë izraelitë kanë publikuar lajmin se qeveria e SHBA është në negociata me Ramën për të transferuar 100 mijë palestinezë nga Gaza në Shqipëri, dhe pavarësisht se Rama e mohuar një gjë të tillë, shenjat tregojnë se nëse Partia Socialiste fiton përsëri zgjedhjet, Shqipëria rrezikon të shndërrohet në një kamp të madh refugjatësh, ku mund të strehohen jo vetëm afganët, por edhe palestinezët dhe grupe të tjera migratore nga Lindja e Mesme. Kjo do ta ndryshonte përgjithmonë strukturën demografike dhe ekonomike të vendit, duke e kthyer Shqipërinë në një vend tranzit për krizat globale të refugjatëve.
Në një vend me një opozitë të fortë dhe një sistem të pavarur institucional, një deklaratë e tillë do të ishte subjekt i një debati të ashpër parlamentar dhe ndoshta edhe një vote mosbesimi ndaj qeverisë. Por në mungesë të një kontrolli të vërtetë demokratik, Rama vazhdon të veprojë si një autokrat në formim, duke e trajtuar Shqipërinë sikur të ishte prona e tij private.