![](https://aktualitet.al/wp-content/uploads/2025/02/img_7341408137118674987605.jpeg)
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër dhe kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka votuar mëngjesin e sotëm në Prishtinë, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.
Pas përfundimit të procesit të votimit, Abdixhiku mbajti një deklaratë të shkurtër për mediat, ku i ftoi qytetarët të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet e sotme për të vendosur për të ardhmen e Kosovës gjatë katër viteve të ardhshme.
“Ju falënderoj të gjithëve për prezencën tuaj dhe shërbimin që po bëni në këtë ditë të demokracisë. Është një ditë e mirë, ditë e demokracisë. Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë masivisht në votime për fatin e Kosovës në 4 vitet e ardhshme. Është ditë feste, zgjedhjet janë gjithmonë festë. Le të angazhohemi për një ditë demokratike,” u shpreh Abdixhiku.
Më herët gjatë ditës, të drejtën e votës e kanë ushtruar edhe kandidatët e tjerë për kryeministër, përfshirë Albin Kurtin nga LVV, Ramush Haradinajn nga AAK-NISMA dhe Bedri Hamzën nga PDK, të cilët gjithashtu i kanë bërë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive në votime.
Zgjedhjet e sotme pritet të sjellin një garë të fortë për drejtimin e qeverisë së ardhshme të Kosovës, ndërsa procesi zgjedhor po vijon në të gjithë vendin.