![](https://aktualitet.al/wp-content/uploads/2025/02/img_73465535348359017868505.jpeg)
Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka ushtruar të drejtën e votës për zgjedhjet parlamentare të Kosovës. I shoqëruar nga bashkëshortja dhe dy vajzat e tij, Hamza votoi në njërën nga qendrat e votimit në Mitrovicë.
Në një deklaratë për mediat pas votimit, ai theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje dhe shprehu besimin e tij te zgjedhja e qytetarëve.
“I lus qytetarët e Kosovës që të shfrytëzojnë këtë të drejtë për të zgjedhur qeverinë për 4 vitet e ardhshme. Uroj dhe besoj që çdo gjë të shkojë mirë. Sovrani vendos! Për mua çdo rezultat është i pranueshëm. Ka qenë një fushatë e gjatë. Pas orës 19:00 pres fitoren! Sigurisht që pres fitoren!” deklaroi Hamza.
Të gjithë kandidatët kryesorë për kryeministër, përfshirë Albin Kurtin nga LVV, Lumir Abdixhikun nga LDK dhe Ramush Haradinajn nga AAK-NISMA, kanë hedhur votën e tyre dhe kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhjet e sotme.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë po zhvillohen me pjesëmarrje të lartë, ndërsa pritet që rezultatet paraprake të bëhen të ditura pas mbylljes së procesit të votimit.