![](https://aktualitet.al/wp-content/uploads/2025/02/800-0-erion-veliaj-arrestimi-spak-617-750x3753669205407444968120-1-300x150.jpg)
Arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nga SPAK ka ngritur pikëpyetje mbi drejtimin e mëtejshëm të kryeqytetit. Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, është vendosur në masë sigurie “arrest shtëpie”. Në këtë situatë, tre skenarë janë të mundshëm për qeverisjen e Bashkisë së Tiranës.
Skenari i parë: Delegimi i kompetencave te një nga nënkryetarët
Një opsion i mundshëm është që Erion Veliaj t’ia delegojë kompetencat njërit prej tre nënkryetarëve të Bashkisë së Tiranës:
- Anuela Ristani
- Andi Seferi
- Keti Luarasi
Në këtë rast, bashkia do të vazhdojë të funksionojë me një nga nënkryetarët në krye, deri në një vendim tjetër institucional.
Skenari i dytë: Këshilli Bashkiak zgjedh një drejtues të përkohshëm
Një tjetër mundësi është që Këshilli Bashkiak të mblidhet dhe të vendosë për delegimin e kompetencave te njëri prej nënkryetarëve. Megjithatë, ligji për pushtetin lokal parashikon që nëse kryebashkiaku nuk është në detyrë për më shumë se tre muaj, Këshilli Bashkiak duhet të propozojë shkarkimin e tij tek Këshilli i Ministrave.
Skenari i tretë: Shkarkimi dhe zgjedhje të reja brenda 45 ditëve
Opsioni i fundit është që Këshilli i Ministrave të shkarkojë Erion Veliajn dhe, nëse ai nuk e ankimon vendimin në Gjykatën Kushtetuese, atëherë Tirana do të shkojë në zgjedhje brenda 45 ditëve për të zgjedhur një kryebashkiak të ri.
Për momentin, vendimmarrja për drejtimin e bashkisë mbetet e hapur, ndërsa SPAK vazhdon hetimet mbi këtë çështje.