![](https://aktualitet.al/wp-content/uploads/2025/02/img_74605864477589512304707.jpeg)
Deputetja socialiste Klotilda Bushka ka reaguar për herë të parë pas konfirmimit se është nën hetim nga SPAK për veprime të paligjshme. Gjatë një mbledhjeje të Komisionit të Ligjeve, Bushka theksoi se nuk do të ndalet nga detyra e saj dhe se do të japë sqarimet e nevojshme në institucionet përkatëse.
“Ky është një komision ligjesh, jo hetimor. Unë po ushtroj detyrën time dhe nëse kam diçka për të sqaruar, do ta sqaroj aty ku duhet. Vijoj të jem një njeri me dinjitet,” – u shpreh ajo, duke iu përgjigjur kërkesës së deputetit demokrat Dashnor Sula për ta lënë drejtimin e mbledhjes koleges së saj, Dhurata Çupi.
SPAK: Bushka akuzohet për pengim të hetimeve
Sipas një njoftimi zyrtar të SPAK, Bushka është regjistruar si person nën hetim për veprën penale të “veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, sipas nenit 301 të Kodit Penal. Dyshohet se ajo ka ndërhyrë aktivisht për të penguar hetimet e një procedimi penal të rëndësishëm.
“Ekzistojnë të dhëna konkrete që çojnë në dyshimin e arsyeshëm se Klotilda Bushka ka kryer veprime të kundërligjshme që kanë ndërhyrë në hetimet e një çështjeje penale,” – thuhet në deklaratën e SPAK, e cila falenderoi Policinë e Shtetit për bashkëpunimin në këtë proces.
Afera e re e SPAK dhe ndikimi politik
Hetimi ndaj Bushkës vjen në një moment kur SPAK ka intensifikuar aksionet ndaj zyrtarëve të lartë, duke përfshirë edhe arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj. Kjo ka shtuar presionin ndaj maxhorancës, ndërsa pritet të shihet si do të ndikojë kjo çështje në debatin politik dhe stabilitetin e Partisë Socialiste.
Në ditët në vijim, pritet që SPAK të japë më shumë detaje mbi përfshirjen e Bushkës në këtë çështje dhe masat që mund të ndërmerren ndaj saj.