![](https://aktualitet.al/wp-content/uploads/2025/02/screenshot_2025-02-11-23-53-05-474_com4955552126915003966.jpg)
Arrestimi i Erion Veliajt ka sjellë një shpërthim të papritur emocionesh dhe mbështetjeje nga një grup këngëtarësh dhe figurash publike, të cilët kanë dalë hapur në rrjetet sociale për ta glorifikuar atë. Mes komenteve të tyre, vërehet një retorikë servilizmi e cila më shumë duket si një skenar i orkestruar, sesa një reagim i sinqertë.
Dhe si për ironi, një pjesë e madhe e këtyre “artistëve të revoltuar” përmenden edhe në dosjet e gjykatës, ku dalin si përfitues të fondeve të Bashkisë së Tiranës. A mos po mbrojnë Veliajn ngaqë kanë frikë se bashkë me të po bie edhe burimi i të ardhurave të tyre?
“Arti i shitur” – këngëtarët që i këndojnë Veliajt, jo publikut
Një nga mbështetësit më të zëshëm është Ilir Shaqiri, i cili me një patetizëm të pashoq shkruan:
“E transformove Tironen nga një hale në kryeqytet. Never give up Lal.”
Një deklaratë që për çdo qytetar të zakonshëm tingëllon si një fyerje ndaj inteligjencës. Tirana që Veliaj “transformoi” është një qytet i betonizuar, i mbushur me kulla që ngrihen si fantazma mbi rrënojat e parqeve dhe hapësirave publike. Një qytet ku ndotja është në nivele alarmante, trafiku është një makth dhe ku qytetarët paguajnë më shumë për shërbime gjithnjë e më të dobëta. A është ky “kryeqyteti i rilindur” për të cilin flet Ilir Shaqiri?
Nga ana tjetër, Çiljeta Xhilaga, një tjetër figurë e njohur për afërsinë e saj me Veliajn, e cilëson atë si një njeri “me zemër të artë që i ka ndihmuar të gjithë.” Kjo po nga një artiste që është përmendur shpesh si pjesë e eventeve dhe projekteve të financuara nga Bashkia e Tiranës. Rastësi? Pak e besueshme.
Pse këngëtarët e Veliajt janë të “detyruar” ta mbrojnë atë?
Kjo mbështetje e papritur për një kryebashkiak të arrestuar vështirë të jetë një ndjenjë e sinqertë. Për shumë prej këtyre artistëve, Veliaj ka qenë burimi i koncerteve, projekteve dhe pagesave të majme që kanë ardhur nga fondet publike të Bashkisë së Tiranës.
Nuk është sekret që një pjesë e artistëve kanë përfituar miliona lekë për koncerte dhe evente “kulturore” të organizuara nën administrimin e Veliajt. Dhe tani që ai ndodhet në burg, këngëtarët duken të shqetësuar jo për fatin e tij, por për fatin e xhepave të tyre.
Solidaritet apo frikë për humbjen e privilegjeve?
Është e vështirë të besosh se gjithë kjo histeri e këngëtarëve në rrjetet sociale vjen nga një vend i sinqertë. Nëse e gjithë kjo mbështetje do të kishte të bënte me karakterin dhe “bamirësinë” e Veliajt, atëherë pse qytetarët e zakonshëm nuk e ndajnë të njëjtin entuziazëm?
Fakti që shumë nga këta personazhe kanë përfituar nga projektet e financuara nga bashkia, hedh dyshime mbi sinqeritetin e tyre. Në një qytet ku artistët do të ishin të lirë nga ndikimi politik dhe nga financimet e dyshimta, ata do të kritikonin pushtetin, jo ta glorifikonin atë. Por në Shqipëri, një pjesë e tyre preferojnë të jenë “këngëtarët e oborrit”, të gatshëm të lavdërojnë atë që u ka mbushur xhepat për vite me radhë.
Në fund të ditës, kjo nuk është asgjë më shumë se një hipokrizi e shitur si “mbështetje morale.” Publiku i ka kuptuar tashmë këta “artistë” dhe për ta, Tirana e betonizuar nuk do të harrohet aq lehtë sa ç’mundohen ta shesin ata me fjalët e tyre të bukura, por bosh.
![](https://aktualitet.al/wp-content/uploads/2025/02/screenshot_2025-02-11-18-22-24-436_com4341725398093089030-547x1024.jpg)
![](https://aktualitet.al/wp-content/uploads/2025/02/screenshot_2025-02-11-18-22-40-176_com1919948753505212025-1024x952.jpg)
![](https://aktualitet.al/wp-content/uploads/2025/02/screenshot_2025-02-11-18-22-52-078_com6295632881977704122-1024x854.jpg)
![](https://aktualitet.al/wp-content/uploads/2025/02/screenshot_2025-02-11-18-23-36-252_com8168807917127969230-618x1024.jpg)