
Qindra fermerë në Fier kanë shpërthyer në protestë pas refuzimit të luleshtrydheve të tyre nga pikat e grumbullimit, nën pretendimin se përmbajnë pesticide. Ky veprim, sipas fermerëve, është një goditje e padrejtë dhe e pambështetur në asnjë provë laboratorike, ndërsa ata akuzojnë Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU) për mosmarrje kampionesh dhe mungesë të plotë veprimi në terren.
“Askush nuk ka ardhur të marrë kampion! Ku e panë pesticidin?”
Fermerët, të revoltuar, kanë hedhur prodhimin në tokë në shenjë proteste, ndërsa kanë shprehur dëshpërimin për pasojat financiare dhe shkatërrimin e sezonit të tyre bujqësor.
“Kërkojmë ndihmë nga shteti. Të vijë të marrë kampionë nga parcelat tona. Askush nuk ka ardhur nga AKU! Prodhimi është pa vjelë, është i braktisur. Me këtë çmim nuk paguajmë dot punëtorët,” – u shpreh një fermer, duke denoncuar faktin se një punëtor për 25 arka kërkon 20 mijë lekë, para të cilat ata nuk i kanë më.
AKU nën akuzë për neglizhencë
Sipas protestuesve, asnjë përfaqësues i AKU nuk ka marrë kampione për të analizuar nëse vërtet ka pesticide, ndërkohë që një panik i ngritur nga një rast i importuar nga Greqia ka shkatërruar besimin e tregut ndaj prodhimeve vendase.
“Jemi në mëshirë të pikave të grumbullimit që bëjnë propagandë, ndërsa shteti hesht,” thonë ata. Fermerët theksojnë se propaganda bëhet në televizione dhe nëpër pika, ndërsa fermeri është lënë në errësirë dhe pa përfaqësim.
“Brezat e rinj po ikin nga tokat”
Shumë prej tyre ndanë shqetësimin se mungesa e vëmendjes shtetërore po çon brezin e ri drejt emigracionit, ndërkohë që Edi Rama bën thirrje për të rinjtë që të kthehen e të punojnë në bujqësi.
“Kur djali im iku, më erdhi keq. Ky brez i ri po ikën ndërsa ne na thonë të kthehen,” – thotë një tjetër fermer.
Një krizë që prek 400 fermerë
Sipas të dhënave të tyre, situata e krijuar ka prekur 300 deri në 400 fermerë, të cilët tashmë janë në rrezik falimenti. Pa analiza, pa pagesa, pa mbështetje.
“Faturat pa çmim, pa asgjë. Punojmë për dy muaj dhe tani jemi me duar bosh. Gjysma e luleshtrydheve u kalb nga moti, asnjë subvencion. Kjo është Shqipëria e bujqësisë që thonë,” – përfundon një protestues.