Gjykata Kushtetuese Sfidohet Nga SPAK: Vendimi Për Ahmetajn Ngre Pyetje Mbi Pavarësinë e Drejtësisë

0

Gjykata Kushtetuese ka tronditur skenën politike dhe juridike shqiptare me vendimin e saj për të shfuqizuar sekuestron ndaj pasurive të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, një çështje që u pa si përballje e rrallë me Prokurorinë e Posaçme SPAK.

Më 11 prill 2025, me një shumicë gati unanime prej 8 anëtarësh, Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë dhe të Apelit, duke kthyer për rishqyrtim vendimin për sekuestrimin e një apartamenti dhe dy llogarive bankare të Ahmetajt, i cili ndodhet nën hetim për korrupsion.

Ky vendim përbën precedentin e parë ku një institucion i drejtësisë guxon të sfidojë hapur dominimin e SPAK-ut, institucion që deri më tani ka gëzuar një mbështetje të pakushtëzuar nga të gjitha nivelet e sistemit gjyqësor, përfshirë vetë Kushtetuesen.

Për shumë analistë ligjorë, besimi se Gjykata Kushtetuese ka vepruar mbi bazën e drejtësisë është i brishtë, për faktin se më herët ka rrëzuar sistematikisht kërkesa të rëndësishme si ato të Sali Berishës dhe Fredi Belerit, përmes interpretimesh të diskutueshme.

Në sfondin e këtij vendimi qëndron një ngjarje e pazakontë: vendosja nën vëzhgim nga SPAK e gjyqtarit Gent Ibrahimi, anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Dokumentet që disponon “Boldnews.al” dëshmojnë se prokurori Klodian Braho kishte urdhëruar zyrtarisht vëzhgimin, pavarësisht mohimeve publike të institucionit.

Ky veprim i SPAK, i parë si një akt i paprecedentë dhe agresiv ndaj një anëtari të Kushtetueses, mund të ketë shërbyer si një “sinjal” që gjykatësit të vetëdijësohen për pushtetin disproporcional që SPAK ka grumbulluar, duke kapërcyer kufijtë e rolit kushtetues të prokurorisë.

Kjo situatë ka nxitur një pyetje thelbësore në publik: A do të ketë guxim Gjykata Kushtetuese të rikthejë dinjitetin institucional, apo do të vijojë të veprojë si një noter i verbër i vendimeve të SPAK-ut dhe qeverisë?

Ekspertët ligjorë e konsiderojnë vendimin për Ahmetajn si një veprim mbrojtës, më shumë sesa një kthesë drejt pavarësisë, pasi Gjykata mbetet nën hijen e një autoriteti hetimor që është treguar i gatshëm të hetojë edhe vetë gjyqtarët.

Nëse Kushtetuesja synon të rifitojë autoritetin kushtetues dhe besimin publik, duhet të tregojë se ka integritetin për të shqyrtuar çdo çështje me standarde të barabarta, pa u ndikuar nga presioni i qeverisë apo nga frika e ndëshkimit nga SPAK.


Artikulli i mëparshëmDy Shpërthime Me Lëndë Piroteknike Alarmojnë Sarandën: Ndalohen Dy Të Rinj
Artikulli i radhësVetëvrasja E Dytë Në Dy Muaj Në Të Njëjtën Shkollë Në Gjirokastër: Alarm Për Shëndetin Mendor Të Adoleshentëve