Fati I Zgjedhjeve Mbetet Ende Në Dorë Të Pensionistëve

0

Gati gjysma e elektoratit shqiptar (47.7%) jeton jashtë vendit, duke krijuar një hendek të thellë midis listës zgjedhore formale dhe popullsisë rezidente që realisht merr shërbime publike.

Nga njëra anë, Regjistri i Gjendjes Civile numëron 3.71 milion shtetas me të drejtë vote, sipas të dhënave zyrtare nga KQZ. Nga ana tjetër, Censi 2023 evidentoi vetëm 1.94 milion shqiptarë rezidentë mbi 18 vjeç që jetojnë në Shqipëri. Kjo diferencë prej 1.77 milion vetash tregon se afërsisht 48% e listës zgjedhore ndodhet fizikisht jashtë territorit shqiptar.

Ndikimi Demografik Dhe Kostoja Fiktive

Kjo mospërputhje e madhe tregon për ndryshime drastike të strukturës demografike, duke ndikuar drejtpërdrejt në dinamikën elektorale. Nëse i referohemi të dhënave të fundit nga KQZ, vetëm 42.2% e votuesve morën pjesë në zgjedhje, që përkthehet në rreth 1.56 milion shqiptarë votues. Kjo përfaqëson 80.6% të popullsisë rezidente me të drejtë vote, por vetëm 42.2% të totalit të zgjedhësve në listë.

Shteti, ndërkohë, printon fletë, hap qendra votimi dhe shpërndan fonde për një listë që përfshin 1.8 milion persona që nuk janë fizikisht të pranishëm, duke krijuar një kosto administrative dhe materiale pothuajse të dyfishtë në raport me nevojat reale.

Dominimi I Pensionistëve Në Peshën Elektorale

Sipas Censit 2023, një në tre votues është mbi 60 vjeç, me këtë grup që përfaqëson 32.4% të popullsisë me të drejtë vote. Ky fakt do të ndikojë drejtpërdrejt në politikat publike të ardhshme, si ato për pensionet, shëndetësinë dhe kujdesin afatgjatë.

Ndërkohë, elektorati ekonomikisht aktiv (30-60 vjeç) përbën 49% të votuesve rezidentë, ndërsa të rinjtë 18-29 vjeç zënë vetëm 17.8% të popullsisë me të drejtë vote. Megjithë diskursin politik të fokusuar te rinia, ky grup mbetet në minorancë elektorale.

Statistikat Mashtruese Dhe Pabarazia E Votës

Pa një regjistër të përditësuar të zgjedhësve dhe pa mekanizma të qartë për votimin nga diaspora, statistikat zyrtare vazhdojnë të prodhojnë mashtrime aritmetike, që ndikojnë buxhetimin, politikat sociale dhe legjitimitetin e zgjedhjeve.

Bazuar në faktin që vetëm 35% e të rinjve kanë votuar tradicionalisht, përllogaritet që vota reale e të rinjve përbën vetëm 6% të totalit të votave këtë vit. Si rrjedhojë, një 61-vjeçar ka afro 3.5 herë më shumë peshë elektorale sesa një 22-vjeçar, gjë që shpjegon fokusin e partive te politika e bonuseve për pensionistët, dhe jo te vizionet afatgjata për rininë.

Votimi Nga Diaspora: Potencial I Pashfrytëzuar

Në zgjedhjet e 11 majit, rreth 191 mijë shqiptarë jashtë vendit votuan me postë, nga mbi 245 mijë të regjistruar. Nëse regjistrimi i diasporës zgjerohet, mund të ndryshojë edhe pesha e të rinjve në procesin elektoral të së ardhmes.

Me vetëm 17.8% të votuesve, të rinjtë janë ende të vegjël në matematikën zgjedhore. Kjo është edhe arsyeja pse programet zgjedhore 2025 ngjajnë më shumë si “skema pension + bonus”, sesa si “vizion 2035”. /monitor

Artikulli i mëparshëmRaporti I OSBE-ODIHR Godet Median Shqiptare: Televizionet, Bashkëpunëtore Të Pushtetit
Artikulli i radhësNdryshojnë Balancat Në Tiranë: PD I Rimerr Mandatin Shehajt, Jorida Tabaku Futet Në Kuvend