Shqipëria ‘Mbytet’ Nga Qumështi Pluhur Dhe Vaji I Palmës

0

Pas më shumë se një dekade në pushtet, qeveria shqiptare është kujtuar më në fund për sigurinë ushqimore. Por, në vend që të hetojë rrënjët e krizës — fabrikat që prodhojnë me lëndë të dyshimta si qumështi pluhur dhe vaji i palmës — inspektorët janë hedhur në “luftë” kundër fshatarëve dhe rigonit malor.

Në tregjet shqiptare, është bërë normë ndalimi i fshatarëve që shesin pak qumësht apo bimë mjekësore. Rasti i Bardhës, që i’u kërkua faturë për rigonin që kishte mbledhur në mal, është vetëm një shembull grotesk i absurdit shtetëror që mbron korporatat dhe fabrikat, por ndëshkon fshatarin.

Sipas INSTAT, Shqipëria ka aktualisht vetëm 224 mijë lopë, nga 361 mijë një dekadë më parë. Edhe numri i dhive ka rënë me 210 mijë, duke e reduktuar prodhimin natyral të qumështit.

Në vitin 2024, u grumbulluan vetëm 95 mijë tonë qumësht, nga të cilat vetëm 12 mijë tonë dolën në treg për konsum direkt. Ndërkohë, fabrikat “çuditërisht” vazhdojnë të furnizojnë supermarkete pa asnjë mungesë.

Në janar–maj 2025, janë importuar 250,393 kg qumësht pluhur. Në të njëjtën periudhë të 2024-ës, ishin importuar 242,494 kg. Pra, vetëm në 5 muaj ka një rritje me 7,899 kg qumësht pluhur. Kjo sasi, kur përzihet me ujë dhe lëndë të tjera, mbush raftet e supermarketeve me “qumësht” e “kos”, që konsumatori shqiptar beson si produkt “bio”.

Shifra më tronditëse vjen nga importet e vajit të palmës, që përdoret për të zëvendësuar yndyrën natyrale në djathë, kos dhe gjalpë:

Në 2024, Shqipëria importoi 2.9 milionë litra vaj palme. Në 5 vitet e fundit: 13.6 milionë litra. Ky vaj, i ndaluar në disa vende për shkak të rrezikut të tij kancerogjen, përdoret pa asnjë transparencë në produktet që shqiptarët konsumojnë përditë.

Inspektorët e shtetit janë kthyer në karikatura që përndjekin fshatarin, ndërsa oligarkët e industrisë ushqimore bëjnë miliona duke helmuar qytetarët me substanca të rrezikshme dhe lëndë artificiale.

Në vend që të përballet me rrënjën e problemit — fabrikat që shesin helm të paketuar si ushqim — shteti shqiptar ka vendosur të godasë hallkën më të dobët të zinxhirit, fshatarin. Ndërkohë, konsumatorët paguajnë shtrenjtë me shëndetin e tyre.

Artikulli i mëparshëmTragjedi Në Elbasan: Dy Të Mitur Mbyten Në  Shkumbin
Artikulli i radhësSiria Shpall Armëpushim Pas Përleshjeve Sektare në Suweida, Mbi 700 të Vdekur