
Kur Edi Rama del para publikut dhe flet për reforma në administratë, për konkursin si formë meritokracie dhe për “gjak të ri” në institucionet shtetërore, shqiptarët duhet të bëjnë një gjë të thjeshtë: të buzëqeshin, të tundin kokën dhe të kalojnë më tej. Sepse në Shqipërinë e 2025-ës, shteti nuk funksionon me CV dhe meritë, por me miqësi, telefonata dhe servilizëm të klasit të parë.
Shembulli më i freskët? Emërimi i Admir Malajt si drejtor i Portit të Sarandës.
Ky zotëri ka qenë më parë drejtor i portit të Vlorës dhe njëherazi kryetar i Partisë Socialiste në të njëjtin qytet. Deri këtu çdo gjë normale, përveç faktit që Rama vetë e shkarkoi nga drejtimi i partisë në Vlorë për arsye “strategjike”. Sipas të njëjtave burime që propagandojnë konkursin si formë përzgjedhjeje, Malaj po pengonte ardhjet “e reja” nga Partia Demokratike — të cilat në fakt janë riciklime të vjetra që vijnë me ngjyrë të ndryshuar.
Pas zgjedhjeve, me sa duket është hapur portali i konkursit të miqve, dhe i vetmi CV që ka rëndësi është numri i telefonit të kryeministrit. Alket Qëndro, drejtori i mëparshëm i portit të Sarandës, mori një telefonatë nga vetë Edi Rama. Jo për ta falënderuar për punën, por për t’i kërkuar dorëheqjen. Dhe, siç ndodh rëndom në sistemin e Rilindjes, fjala e liderit është ligj. Dorëheqja u paraqit.
Menjëherë pas kësaj, Admir Malaj, i cili jo vetëm që nuk fitoi konkurs, por nuk e pa kurrë një të tillë, u katapultua në krye të portit të Sarandës. Jo për ndonjë meritë teknike, por sepse është mik i ministrit Pirro Vëngu — një tjetër emër i listës së gjatë të njerëzve që e shohin shtetin si pronë private.
Nuk është çështje se çfarë pozicioni mban Admir Malaj. Çështja është si ai dhe të ngjashmit e tij mbajnë peng sistemin, si përbuzin çdo qytetar që aplikon me shpresën naive se konkursi është real. Se dërgojnë CV, se bëjnë letrën e motivimit, e ndërkohë në prapaskenë, vendimi është marrë: do emërohet shoku i ministrit, kushëriri i deputetit, apo baxhanaku i drejtuesit të partisë.
Në shtetin Edi Ramës nuk ka vende vakante. Janë thjesht karrige të zëna paraprakisht, që bëjnë një ndalesë të shkurtër për t’u lyer me bojën e konkursit.
A ishte shpallur konkurs për drejtimin e Portit të Sarandës?
Jo. Nuk ka pasur asnjë konkurs publik të hapur. Emërimi është bërë direkt pas një dorëheqjeje të detyruar.
Kush është Admir Malaj?
Ish-drejtor i portit të Vlorës dhe kryetar i PS në të njëjtin qytet. U largua nga Rama për të bërë vend për “prurje të reja”.
Pse është problematike kjo emërim?
Sepse bie ndesh me premtimet e qeverisë për konkurse transparente dhe meritokraci, dhe promovon klientelizmin.
Çfarë ndodh me qytetarët që dërgojnë CV për pozicione publike?
Për fat të keq, shumë prej tyre janë thjesht dekor në një proces të paracaktuar. Pozicionet shpesh u takojnë atyre me lidhje të forta politike ose personale.
Në Shqipërinë e sotme, drejtimi i institucioneve publike nuk varet nga eksperienca apo formimi profesional, por nga lista e kontakteve në WhatsApp. Ndërsa kryeministri flet për meritokraci, vendet zihen me sms, telefonata dhe pazare partiake. Dhe qytetarët, ata që besojnë ende te konkurrenca e ndershme, mbeten spektatorë në një teatër të stërvitur hipokrizie.