Skandal: 3 Vite Burg Për Mediat Që Kritikojnë Drejtësinë – Avokati Arben Llangozi Denoncon Nenin 536

0

Një tjetër draft i turpshëm nga hartuesit e Kodit të ri Penal, që synon të kthejë Shqipërinë pas në kohë – drejt një diktature moderne ku mendimi ndryshe kriminalizohet dhe media frikësohet.


Nga Arben Llangozi

Pa kritikë nuk ka drejtësi, ka vetëm bindje / Neni 536 është censurë me kod penal

Një sistem gjyqësor që trembet nga zëri i qytetarëve, nga fjalët e një gazetari, nga komentet e një të pandehuri, është një sistem që nuk ka as besim tek vetja, as ndershmëri për të përballuar transparencën.

Drafti i kodit të ri penal ka sjellë në qendër të vëmendjes një dispozitë të veçantë, që më shumë sesa përparim, përbën një hap pas drejt kohëve të errëta të së kaluarës.

Bëhet fjalë për nenin 536 të Kodit Penal, i cili parashikon dënim me gjobë ose deri në tre vjet burgim për çdo person që, përpara dhënies së një vendimi gjyqësor, me komente të hapura apo forma të tjera të komunikimit publik, synon të ndikojë në vendimmarrjen e gjykatës, përmes “krijimit të rrethanave shtypëse”, “shtrembërimit të provave”, apo “nxitjes së mosbesimit ndaj pavarësisë së gjyqësorit”.

Në letër, qëllimi mund të duket legjitim – mbrojtja e gjykatës nga presioni publik. Por në praktikë, kjo dispozitë përbën një rrezik serioz për fjalën e lirë, median e pavarur dhe të drejtën qytetare për të denoncuar padrejtësitë.

Kjo nuk është hera e parë që një shtet kërkon të heshtë kritikën. Gjatë diktaturës komuniste, ekzistonte famëkeqi nen për agjitacion e propagandë, që dënonte këdo që shprehte mendime ndryshe nga vijat e partisë. Sot, neni 536 i kodit penal mund të mos ketë të njëjtin emër, por ka të njëjtin shpirt, ndëshkimin e fjalës që trazon, që ngre pikëpyetje, që kërkon përgjegjësi.

Nëse gjatë diktaturës kritika ndaj Partisë dënohej si sulm ndaj shtetit, sot kritika ndaj drejtësisë rrezikon të dënohet si “presion ndaj gjykatës”.
E kaluara dhe e tashmja gërshetohen në mënyrë të rrezikshme, dhe këtë herë, në emër të drejtësisë.

Neni 536 bie drejtpërdrejt ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, konkretisht me nenin 22, që garanton lirinë e shprehjes, të shtypit dhe të informimit publik. Ai bie gjithashtu ndesh me nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që mbron lirinë e mendimit dhe të shprehjes si një e drejtë themelore e çdo qytetari, pa frikë nga ndëshkimi penal.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në jurisprudencën e saj të pasur, ka mbrojtur në mënyrë të përsëritur të drejtën për të kritikuar edhe sistemin gjyqësor, sidomos në kontekste me interes publik. Vetë nocioni i “gjykimi i drejtë dhe i hapur” presupozon se qytetarët kanë të drejtë të shprehen për padrejtësitë që përjetojnë dhe të reagojnë publikisht ndaj tyre.

Në këtë kuptim, neni 536 i kodit penal, përbën një akt vetëmbrojtës të një sistemi që nuk do kritikë, por kërkon heshtje dhe bindje.

Demokracia nuk ekziston pa debat publik, kritikë dhe transparencë. Nuk mund të ndërtohet një shtet ligjor duke heshtur zërat që denoncojnë padrejtësi. Nuk mund të mbrohet pavarësia e gjykatës duke kriminalizuar fjalën e qytetarëve që kërkojnë drejtësi.

Nëse një gjykatë ndihet “e cenuar” nga opinioni publik, problemi nuk është te qytetarët, por te besueshmëria e vetë sistemit. Në një shtet të drejtë, kritika nuk përbën rrezik – përkundrazi, ajo është mjeti më i shëndetshëm për të ndrequr gabimet dhe për të parandaluar abuzimet.

Me nenin 536 të kodit penal, rrezikohen gazetarët që raportojnë për gjyqe të bujshme, aktivistët që denoncojnë vendime të dyshimta, avokatët që flasin për padrejtësi strukturore, dhe mbi të gjitha qytetari i thjeshtë, që shpesh është viktima e parë e një drejtësie selektive.

Krijohet një precedent i rrezikshëm – në vend që drejtësia të përmirësohet përmes kritikës, kritika kriminalizohet për të ruajtur aparencën e drejtësisë. Nëse kjo filozofi vazhdon, atëherë mund të imagjinojmë një të ardhme ku çdo mendim ndryshe do të përkthehet në dosje penale. Dhe atëherë, fjala e lirë do të shndërrohet në luks, jo në të drejtë.

Neni 536 i Kodit Penal nuk është thjesht një dispozitë ligjore. Ai është një tentativë e qartë për të vendosur censurë mbi mendimin kritik, për të frikësuar median dhe qytetarët, dhe për të mbuluar dobësitë e një sistemi që shpesh ka dështuar të ofrojë drejtësi reale.


Artikulli i mëparshëm“Krimineli Me Uniformë”/ Ish-Shefi I Qarkullimit Të Vlorës Ardian Isufi Dhunon Kamarierin 18-Vjeçar Për Një Shishe Uji
Artikulli i radhësMilan I Bën Paralajmërimin Club Brugge: Oferta Finale Për Ardon Jasharin