“UBUBUJA” – Shoqata Kombëtare E Gjyqtarëve “Kërcënon” Kryeministrin

0

Në Shqipëri, drejtësia e reformuar shpesh shfaqet si një teatër grotesk, ku organet që supozohet të mbrojnë pavarësinë e gjyqësorit shndërrohen në klube të mbyllura mbrojtjeje për njëri-tjetrin. Reagimi i fundit i Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, pas denoncimit publik të kryeministrit Edi Rama për gjyqtarin Marko Boshku, është shembulli më i qartë i këtij realiteti.

Vetë reagimi i Shoqatës është një mozaik fjalësh të mëdha dhe paralajmërimesh që, në vend që të duken serioze, zbulojnë boshllëkun profesional të hartuesve. Ja çfarë shkruhet në komunikatë:

“Së pari, Shoqata i shpreh mbështetjen e plotë gjyqtarit Boshku, si një gjyqtar me integritet dhe model në punën e tij.
Së dyti, ajo nxit Këshillin e Lartë Gjyqësor që të marrë një pozicion më të qartë në mbrojtje të pushtetit gjyqësor në tërësi dhe gjyqtarëve të caktuar në veçanti.
Së treti, i bën thirrje të gjithë partnerëve tanë ndërkombëtarë për të mbështetur pa rezerva sistemin e reformuar të drejtësisë, i cili është më së pari produkt i ndihmës së tyre të pakursyer, si dhe të bëjnë të mundur që zëri i tyre në këtë drejtim të dëgjohet nga ata që u ka humbur kjo shqisë në raport me aktorët e brendshëm.
Së katërti, i kujton përfaqësuesit më të lartë të pushtetit ekzekutiv se çdo deklaratë denigruese në drejtim të gjyqtarëve përbën ndërhyrje në veprimtarinë e tyre dhe se, referuar nenit 145, pika 3, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, një veprim i tillë passjell përgjegjësi sipas ligjit.”

Në një lexim të parë, duket sikur Shoqata ka marrë rolin e avokatit mbrojtës të gjyqtarit Boshku. Në vend që të flasë për parimet e shtetit të së drejtës, ajo flet me gjuhën e sindikatës: “Mos na prekni gjyqtarët tanë, se i kemi të shenjtë.”

Edhe më i çuditshëm është paralajmërimi se fjalët e kryeministrit janë “në kufijtë e veprës penale” dhe se Shoqata do të “monitorojë deklaratat e ardhshme” për të vendosur hapat e radhës. Këtu kemi një shoqatë që nuk ka faqe zyrtare, adresë, sekretariat apo transparencë mbi financimin, por që shpall veten si një mbikëqyrëse e fjalës së lirë të kreut të qeverisë.

Ironia është e plotë: një strukturë që nuk i tregon as qytetarëve se kush është, kush e drejton dhe si funksionon, kërcënon hapur një kryeministër të zgjedhur. Dhe më tej, krijon një paradoks të rrezikshëm: nëse nesër kjo Shoqatë kërkon ta çojë kryeministrin “përpara ligjit”, kush do ta gjykojë? Anëtarët e saj, që janë gjyqtarë? Ky është një konflikt interesi i pastër.

Por ndoshta pjesa më e rëndë e reagimit është ajo që nuk thuhet: asnjë fjalë për qytetarët. Në asnjë rresht nuk i drejtohen publikut, atyre që janë themeli i drejtësisë dhe të cilëve duhet t’u garantojnë liritë dhe të drejtat. Nuk ka asnjë përpjekje për të forcuar besimin e publikut te gjyqësori. Ka vetëm një përpjekje për të forcuar mburojën e brendshme korporative.

Në vend që të tregojë pavarësi, Shoqata shfaqi pikërisht të kundërtën: varësinë nga vetja, mbylljen brenda një rrethi të ngushtë mbrojtjeje dhe arrogancën për të dalë mbi ligjin.

Kjo nuk është mbrojtje e drejtësisë – kjo është mbrojtje e status quo-së. Dhe kur drejtësia bëhet një klub i mbyllur, atëherë publiku kupton një të vërtetë të hidhur: nuk kemi gjyqtarë që mbrojnë qytetarët, por gjyqtarë që mbrojnë njëri-tjetrin.


Artikulli i mëparshëmIsh-ambasadori Holandez: Gjykata E Hagës Në Shërbim Të Serbisë
Artikulli i radhësBeteja Për Shëndetin E Merit, Solidariteti Që Frymëzon Shqipërinë