
Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja tragjike që tronditi sistemin e drejtësisë shqiptare, ku gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën brenda sallës së Gjykatës së Apelit.
Një nga të plagosurit, Ervis Kurtaj, ka rrëfyer për hetuesit momentet dramatike që çuan në ekzekutimin e gjyqtarit dhe plagosjen e tij e të babait, Rakip Kurtaj.
Momenti i vendimit që ndezi tragjedinë
Sipas dëshmisë së Kurtajt, gjithçka ndodhi sapo gjyqtari Kalaja shpalli vendimin gjyqësor në favor të familjes së tyre, në procesin ku përfshihej edhe familja Shkambi.
“Në atë moment, Elvisi u ngrit nga vendi dhe iu afrua gjyqtarit duke qëlluar disa herë me armë zjarri,” – ka deklaruar Kurtaj.
Kurtaj rrëfen se sapo dëgjoi të shtënat, reagoi menjëherë për të shpëtuar:
“Kapa babin nga dora dhe nisa të largohem drejt korridorit. Kur po kalonim derën e sallës, Elvisi u kthye dhe qëlloi drejt nesh.”
Frika, gjaku dhe heshtja që pasoi
Brenda pak sekondash, salla e gjyqit u kthye në një skenë horror. Babë e bir u qëlluan dhe mbetën të plagosur, ndërsa gjyqtari Kalaja ra i pajetë në vend.
Të plagosurit u dërguan me urgjencë në Spitalin e Traumës, ku morën trajtim mjekësor dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka hapur një debat të fortë për sigurinë në sallat e gjyqeve, që prej vitesh konsiderohen të pambrojtura dhe të pajisura dobët me masa parandaluese.
Një sistem që nuk e pa tragjedinë të vinte
Ky atentat në zemër të drejtësisë ka ekspozuar jo vetëm dështimin e masave të sigurisë, por edhe mungesën e reagimit institucional për një sistem që funksionon mbi mekanizma të brishtë.
Ngjarja ka sjellë reagime të forta nga krerët e gjyqësorit, përfshirë Sokol Sadushin dhe Erjon Banin, të cilët kanë kërkuar masa të menjëhershme për rritjen e sigurisë dhe ndërtimin e godinave të reja gjyqësore.
Por, përtej reagimeve, mbetet e qartë se besimi i publikut ndaj drejtësisë është plagosur rëndë – një plagë që nuk shërohet me deklarata, por me veprime dhe përgjegjësi të vonuara.