Rasti i avokatit Ulian Barjami, si u lejua në sistem një prokuror me probleme të rënda psikologjike

0

Një vendim i tillë është më shumë se një shkelje administrative, është “një akt i papërgjegjshëm, që ngre dyshime serioze për ndërhyrje, korrupsion dhe ndikim politik” në procesin e përzgjedhjes së magjistratëve.

Skandali që ka shpërthyer në Prokurorinë e Elbasanit, pas kërcënimit, bullizimit dhe arrestimit të avokatit Uljan Barjami, nuk është më vetëm një incident individual mes një prokurori dhe një avokati. Ai ka shndërruar në dritë një realitet tronditës për mënyrën se si funksionon sistemi i drejtësisë në Shqipëri një sistem që shpërblen bindjen dhe nënshtrimin, ndërsa ndëshkon profesionalizmin dhe guximin qytetar.

Sipas informacioneve të besueshme dhe burimeve pranë institucioneve të drejtësisë, prokurori Gjergji Ceka, i përfshirë drejtpërdrejt në këtë rast, ka pasur probleme të rënda psikologjike që janë evidentuar gjatë studimeve të tij në Shkollën e Magjistraturës.

Testimet psikologjike, që janë pjesë standarde e procesit të vlerësimit të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë, kanë treguar se Ceka ka dalë me “pikë të kuqe”, duke sinjalizuar qartë mungesë stabiliteti emocional dhe probleme serioze që mund të ndikojnë në ushtrimin e funksionit të tij.

Sipas dokumenteve të brendshme të Shkollës së Magjistraturës, rezultati “me pikë të kuqe” në testimet psikologjike përbën gradën më të rëndë të vlerësimit negativ, që tregon paaftësi emocionale dhe mungesë ekuilibri mendor për të ushtruar funksione publike të ndjeshme. Një vlerësim i tillë nënkupton se kandidati nuk duhet të pranohet në sistemin e drejtësisë, pasi përbën rrezik real për abuzim me pushtetin, sjellje agresive dhe vendimmarrje të shtrembër ndaj qytetarëve.

Pavarësisht këtij rezultati negativ, “Shkolla e Magjistraturës” ka marrë vendimin ta “kualifikojë dhe ta promovojë” në sistem, duke shpërfillur çdo standard profesional e etik. Ky veprim përbën një “gabim të rëndë institucional”, që jo vetëm cënon integritetin e procesit të përzgjedhjes së magjistratëve, por edhe vendos “në rrezik të drejtpërdrejtë qytetarët” të cilët përballen me vendimmarrje të një personi që, sipas vetë dokumenteve të testimit, nuk duhej të ishte kurrë në atë detyrë.

Një vendim i tillë është më shumë se një shkelje administrative, është “një akt i papërgjegjshëm, që ngre dyshime serioze për ndërhyrje, korrupsion dhe ndikim politik” në procesin e përzgjedhjes së magjistratëve.

Rasti i avokatit “Uljan Barjami, i cili denoncoi publikisht manipulimet dhe shkeljet procedurale, është shembulli më i qartë i mënyrës se si sistemi përdor autoritetin e tij për të shtypur zërin e së vërtetës.

Në vend që të hetoheshin akuzat për shkelje dhe përpjekje për manipulim nga ana e prokurorit, vetë denoncuesi u kërcënua, u bullizua dhe më pas u arrestua. Ky mekanizëm persekutues është një formë e re e terrorizmit institucional, ku pushteti përdoret për të frikësuar ata që guxojnë të flasin.

Një sistem i tillë nuk prodhon drejtësi, por frikë dhe heshtje. Ai nuk mbështetet në ligj, por në lidhje, ndikime dhe pazare të fshehta që deformojnë të gjithë procesin gjyqësor.

Ky rast duhet të shërbejë si sinjal alarmi për të gjithë sistemin e drejtësisë. Si është e mundur që një kandidat me rezultat negativ psikologjik të jetë pranuar dhe më pas të jetë bërë prokuror? Kush janë personat që kanë firmosur dhe kanë lejuar kualifikimin e tij? A janë bërë verifikime pasuese gjatë ushtrimit të detyrës për gjendjen psikologjike të tij? Dhe më e rëndësishmja: Sa të tjerë si ai ka sot në sistemin tonë të drejtësisë?

Këto pyetje nuk janë thjesht formale. Ato lidhen drejtpërdrejt me sigurinë e qytetarëve dhe besueshmërinë e institucioneve. Kur një prokuror me probleme të konstatuara psikologjike ka në dorë fatet e njerëzve, çdo vendim që merr mund të jetë një rrezik real për lirinë, reputacionin dhe jetën e tyre.

Shkolla e Magjistraturës ka përgjegjësinë jo vetëm për përgatitjen profesionale të magjistratëve, por edhe për vlerësimin e tyre etik dhe psikologjik. Pranimi dhe kualifikimi i një kandidati që ka rezultuar me probleme në këtë fushë është një shkelje e standardeve europiane të drejtësisë dhe një cenim i rëndë i sigurisë publike.

Po aq përgjegjës është edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që ka detyrimin të verifikojë çdo element të integritetit të prokurorëve dhe të reagojë menjëherë kur dalin në dritë fakte të tilla. Heshtja në këtë rast do të thotë bashkëfajësi.

Nëse drejtësia shqiptare synon të rikthejë besimin e publikut, ajo duhet të fillojë nga vetëpastrimi. Duhet të hetohet urgjentisht sesi janë pranuar dhe kualifikuar persona që kanë dështuar në testet psikologjike. Duhet të rishikohen të gjitha dosjet e kandidatëve që janë futur në sistem në të njëjtën periudhë.

Dhe mbi të gjitha, duhet të vendosen përgjegjësi penale për ata që kanë abuzuar me detyrën duke lejuar persona të papërshtatshëm të ushtrojnë funksione të tilla.

Drejtësia nuk mund të shërbejë si “terapi” për individë me probleme psikologjike. Një prokuror apo gjyqtar që nuk është në gjendje të menaxhojë emocionet, presionin dhe balancën e pushtetit, nuk mund të ketë në dorë lirinë e qytetarëve.

Rasti i Elbasanit është dëshmi se mungesa e filtrimit psikologjik ka pasoja të drejtpërdrejta dhe dramatike.

Sot, sistemi i drejtësisë shqiptare është përballë një prove të madhe. Nëse ky rast mbulohet me heshtje, do të thotë se shpresa për drejtësi të vërtetë ka përfunduar. Nëse, përkundrazi, nis një hetim serioz, transparenca mund të kthehet në fillimin e një pastrimi të madh moral e institucional./Pamfleti

Artikulli i mëparshëmGreva e minatorëve të Spaçit përshkallëzohet, kompania paralajmëron mungesën e pagave
Artikulli i radhës“Deri Sa T’i Vras Gjithë Burrat E Tyre” – Zbardhen Bisedat Gjakatare Të Aurel Hoxhës Në SkyECC