
Vetëm pak vite pasi u prezantua si një investim “zgjidhje përfundimtare”, rrjeti i ujësjellësit të Vlorës ka dështuar të përmbushë funksionin më bazik: furnizimin e qytetit me ujë të pijshëm. Për disa ditë rresht, mijëra familje dhe biznese në një nga qytetet kryesore turistike të vendit kanë mbetur pa ujë, duke u përballur me një situatë që për nga përmasat dhe pasojat përbën emergjencë publike.
Rrjeti i ujësjellësit u rindërtua gjatë viteve 2020–2021 me një kosto totale prej 9.6 miliardë lekësh, të financuara nga buxheti i shtetit. Projekti u promovua si investim strategjik, që do t’i jepte fund krizave periodike të furnizimit me ujë dhe do të garantonte siguri afatgjatë për qytetin.
Megjithatë, realiteti i ditëve të fundit tregon të kundërtën. Ndërprerjet e zgjatura kanë paralizuar jetën e përditshme në Vlorë, duke goditur jo vetëm familjet, por edhe bizneset, shërbimet dhe sektorin turistik, në një qytet që mbështetet ndjeshëm te sezoni dhe imazhi publik.
Punimet për rindërtimin e rrjetit u realizuan nga , kompani që kishte përgjegjësinë për ndërtimin dhe dorëzimin e një sistemi funksional, të aftë për të përballuar kërkesat reale të qytetit. Dështimi i furnizimit vetëm pak vite pas përfundimit të punimeve e vendos drejtpërdrejt këtë kompani në qendër të vëmendjes për cilësinë e punimeve dhe qëndrueshmërinë e investimit.
Gener 2 është ndër kompanitë që kanë përfituar në mënyrë të përsëritur kontrata publike në projekte infrastrukturore të financuara nga shteti dhe konsiderohet një nga kontraktorët më të ekspozuar në investimet strategjike të viteve të fundit. Pikërisht për këtë arsye, pritshmëritë për standarde të larta zbatimi dhe funksionim të qëndrueshëm janë më të larta se zakonisht. Kur një kompani me një prani kaq të fortë në projektet publike nuk garanton funksionimin bazë të një rrjeti jetik, përgjegjësia merr një peshë të shtuar publike dhe institucionale.
Në këtë fazë, problemi nuk është thjesht një defekt teknik apo një ndërprerje e përkohshme. Çështja lidhet drejtpërdrejt me besueshmërinë e modelit të investimeve publike, me mënyrën se si përzgjidhen kontraktorët, si monitorohet zbatimi i projekteve dhe si mbahet përgjegjësi për fondet e shpenzuara.
Institucionet vendore dhe qendrore kanë deklaruar se kanë ndërhyrë me masa emergjente për rikthimin e furnizimit dhe se po analizohen shkaqet e situatës. Por për qytetarët e Vlorës, pyetja mbetet e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë: pse një rrjet i ndërtuar me para publike, nga një kompani që ka qenë përfituese e vazhdueshme e kontratave shtetërore, nuk po garanton një shërbim bazë jetik vetëm pak vite pas përfundimit të investimit?
Deri në një përgjigje të qartë dhe transparente, kriza e ujit në Vlorë mbetet një tjetër shembull i hendekut mes propagandës së investimeve dhe realitetit që përjetojnë qytetarët.

