Nga Monica Ricci Sargentini, Corriere della Sera
Janë tronditëse imazhet e publikuara në faqen e internetit Biotexcom, një agjenci për surrogatet në Ukrainë. Aty shihet një çerdhe e improvizuar në hollin e hotel ‘Venecia’ në Kiev. Fëmijët janë kaq pranë sa duket sikur është një linjë montimi. Janë 46 foshnje të lindura nga gra surrogate me pagesë për qytetarë nga shumë vende të botës, mes tyre edhe italianë.
Çfarë ka ndodhur? Për shkak të pandemisë, prindërit-klientë nuk mund të shkojnë në Ukrainë për të marrë fëmijët që kanë ardhur në jetë pak orë ose pak ditë më parë. Agjencia e surrogateve është në hall të madh, aq sa avokati i klinikës, Denis Herman u bën thirrje klientëve të aplikojnë pranë ministrive të jashtme të vendeve respektove për leje të posaçme nga qeveria ukrainase që të marrin fëmijët e porsalindur.
Rasti ka alarmuar lëvizjet feministe që luftojnë kundër shfrytëzimit të grave dhe fëmijëve në mbarë botën. Në Itali, Rrjeti Italian kundër Mitrave me Qira, që përfaqëson disa organizata, ka kërkuar nga ministri i Jashtëm, Luigi di Maio informacion për kushtet e fëmijëve dhe se cilët janë klientët italianë të Biotexcom dhe klinikave të tjera.
Në peticion thuhet se në Itali, marrja me qira e mitrës së tjetrit është një krim, dhe kushdo që e organizon në çfarëdo forme, ose që e reklamon, dënohet me burg nga 3 muaj deri në 2 vjet, ose me gjobë nga 600 mijë euro deri në 1 milion.
Qeveria italiane- ndryshe nga Spanja- nuk u ka dhënë asnjë autorizim çifteve italiane që të shkojnë dhe të marrin fëmijët, siç shpjegon avokati Giorgio Muçio.
Por rasti i Biotexcom është vetëm maja e ajsbergut. Në Ukrainë janë dhjetëra agjenci surrogatesh, që janë në vështirësi për momentin sepse biznesi është bllokuar për shkak të pandemisë, ndërsa shumë fëmijë kanë mbetur pezull, madje edhe fëmijë të ligjshëm. Bëhet fjalë për të paktën 500 bebe. Kush do kujdeset për ta? Cili është statusi i tyre aktual? A janë ata qytetarë ukrainas? Apo janë pa shtetësi? Pyetjet janë ende pa përgjigje dhe do të bëjnë që organizata të ndryshme nëpër botë të kërkojnë llogari nga ambasadorët e tyre.
Rrjeti ndërkombëtar kundër mëmësisë surrogate është aktiv që në vitin 2018 dhe mbledh 241 OJQ nga 20 vende të ndryshme. Problemi, natyrisht, lind në SHBA dhe në vende të tjera (18 në total), ku kjo praktikë lejohet.