COVID-19/ Cfarë mund të na mësojë historia për udhëheqjen në kohë krizash…

0

Si një historian në Harvard Business School, studioj udhëheqësit e guximshëm, veçanërisht burrat dhe gratë që janë përballur me situata të vështira. Kur fillova këtë punë, rreth 20 vjet më parë, nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të jetoja një turbulencë të kësaj magnitude. Nuk mund ta mendoja se të gjithë do të përfshiheshim në një moment kaq të rëndë, me paqartësi dhe frikë kolektive..

Edhe pse po përballemi me kohëra të paprecedenta, mund të mësojmë shumë nga historia.

Ne mund të mësojmë nga udhëheqësit e guximshëm si Abraham Lincoln, i cili drejtoi kombin në udhëkryqin e Luftës Civile dhe i dha fund skllavërisë; Franklin Roosevelt, i cili drejtoi Amerikën gjatë Depresionit të Madh; Winston Churchill, i cili ndihmoi Britaninë – dhe gjithë botën – kundër fashizmit në vitet 1940 dhe 1941; dhe Diane Nash, e cila organizoi dhe mobilizoi studentët në mosbindje civile gjatë Lëvizjes për të Drejtat Civile në fund të viteve ‘50 dhe në fillim të viteve ‘60

Ndoshta historia më e rëndësishme në këtë periudhë izolimi ekstrem është ajo e Ernest Shackleton, eksploruesi i Antarkditës, anija e të cilit u bllokua në akull dhe më pas u mbyt në fillim të vitit 1915. Ai dhe 27 burra të ekuipazhit u përballën me mbijetesën mijëra milje larg civilizimit. Ata kishin pak rezerva mbi të cilat mund të mbështeteshin, përveç tre varkave të shpëtimit, ushqimeve të konservuara dhe disa gjëra të tjera që mundën të shpëtonin nga anija. Por, pasuria kryesore për të mbijetuar më shumë se 18 muaj në akull ishte udhëheqja e Shackleton, në veçanti vendosmëria kolektive që ai nxiti te të gjithë burrat e ekuipazhit që të kapërcenin vështirësitë dhe të ktheheshin në shtëpi shëndoshë e mirë.

Si ia doli eksploruesi ta bënte këtë gjë? Ai u fokusua tek angazhimi, perspektivat dhe bashkëpunimi i ekuipazhit. Vlerat kryesore mbi të cilat Shackleton dhe ekuipazhi i tij u mbështetën janë thelbësore për të ndihmuar vendin tonë dhe gjithë botën për të kapërcyer pandeminë COVID-19 dhe pasojat ekonomike të saj.

Udhëheqësit e fortë përshtaten shpejt me paqartësitë dhe kaosin, të vetëdijshëm se nuk kanë një plan përballë krizave. Megjithatë ata angazhohen së bashku me mbështetësit e tyre të hedhin hapa, njëri pas tjetrit, mes turbulencave, duke u përshtatur, duke improvizuar dhe duke ndryshuar dalëngadalë me ndryshimin e situatës dhe me njoftimin e informacioneve të besueshme. Udhëheqësit e guximshëm e dinë gjithashtu se do të gabojnë përgjatë rrugëtimit dhe se duhet të lëvizin shpejt pasi ndodh kjo, duke pranuar gabimet dhe duke mësuar prej tyre ndërkohë që ecin para.

Udhëheqësit e mprehtë përballen me frikën e ndjekësve të tyre, por nuk e ushqejnë atë. Ernest Shackleton e përshkroi punën e liderit si “shpërndarje ilaçesh mendore” dhe kjo ishte jetike për suksesin e misionit të tij. Ai e dinte se në një mjedis të paparashikueshëm dhe të rrezikshëm, vendosmëria kolektive, solidariteti dhe një qëllim i përbashkët me njerëzit e ekuipazhit ishin aspekte të padiskutueshme për suksesin, pasi ndihmonin pjesërisht në pakësimin e frikës.

Drejtuesit e aftë komunikojnë shpesh me një gjuhë të thjeshtë. Komunikimi i rregullt, i cili karakterizohet nga energjia dhe optimizmi racional, është thelbësor në momente të vështira.

Ata krijojnë edhe një tablo të së ardhmes, për të cilën ne të gjithë po angazhohemi, duke nxitur bashkimin në vend të përçarjes. Udhëheqësit e mëdhenj komunikojnë faktet e vështira dhe kritike të krizës, si dhe pengesat dhe problemet që lindin prej saj. Në të njëjtën kohë artikulojnë fuqinë dhe burimet e përbashkëta të njerëzve që drejtojnë, gjë që nxit shpresën e besueshme dhe vullnetin te të gjithë.

Udhëheqësit strategjikë përqendrohen te rezultatet e mundshme. Ata nuk e shpërdorojnë kohën duke menduar apo duke folur për mundësitë më të mira apo më të këqija, që janë skenarë me probabilitet të vogël. Ata janë të vetëdijshëm për rezultate të tilla, por nuk përqendrohen tek to. Përkundrazi përqendrohen te skenarët më të mundshëm, ata që gjenden në mes të spektrit.

Çdo krizë është gjithashtu një betejë për zemrat dhe mendjet e mbështetësve, të cilët zotërojnë fuqinë për të ndihmuar në zgjidhjen e krizave ose për t’u përçarë apo dhe shumë më keq.

Udhëheqësit e mëdhenj nxjerrin në pah fuqinë e njerëzve. Jemi gjithnjë më të fortë kur jemi bashkë se të ndarë. Dhe kjo nuk ka qenë kurrë më e vërtetë se tani, ndërkohë qo luftojmë me një armik të heshtur që mund të pësojë disfatë vetëm nëse qëndrojmë të bashkuar dhe do të veprojmë në të mirën e komunitetit.

Shprehja një për të gjithë dhe të gjithë për një nuk ka qenë kurrë më e vërtetë se tani.

*Nancy Cohen
Burimi: Fast Company

Artikulli i mëparshëmCOVID-19/ Epidemiologu kinez tregon se kur do të dalë vaksina
Artikulli i radhësKujdesi personal/ Maskat perfekte për lëkurën që mund t’i bëni në kohë izolimi