Për të lehtësuar pasojat e krizës që po shkakton në ekonomi kufizimi i aktiviteteve për të frenuar përhapjen e infeksionit të Covid-19, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, thotë në një intervistë për Monitor se Banka e Shqipërisë ka qenë aktive në ndërhyrjet e saj.
Veç të tjerash ai pyetet edhe për rezervën valutore te Bankes se Shqiperise dhe nese do perdorej ne kete rast.
Banka e Shqipërisë sot ka 3.2-3.3 miliardë euro si rezerva valutore, por guvernatori thotë se përdorimi i saj bëhet vetëm në raste mjaft të veçanta dhe jemi ende mjaft larg plotësimit të premisave që mund ta aktivizonin këtë instrument.
Rasti i fundit kur është përdorur rezerva valutore, jo në funksion të stabilitetit monetar e financiar të vendit, por për të zbutur pasojat e një krize ekonomike, është fundi i viteve ’80. Guvernatori Sejko pohon se fondet e nevojshme për adresimin e pasojave të goditjes me të cilën po përballemi mund të sigurohen në tregun lokal dhe në monedhën tonë kombëtare.
Pjesë nga intervista
Sa është rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë dhe në çfarë rastesh përdoret ajo?
Së pari, më lejoni të theksoj se rezervat valutore janë një ankorë e rëndësishme e stabilitetit monetar e financiar të vendit, si dhe element i rëndësishëm i kredibilitetit të tij në investitorët e huaj.
Në këndvështrimin e stabilitetit financiar, rezervat valutore mundësojnë aftësinë e Bankës së Shqipërisë për t’iu përgjigjur në kohë nevojave të bankave për likuiditet në valutë, duke garantuar, edhe në prani të problemeve të paparashikuara, funksionin normal të tyre. Në këtë mënyrë, një nivel i mjaftueshëm i rezervave valutore ul primet e rrezikut të industrisë bankare dhe financiare në Shqipëri, duke nxitur dhe interesin e investitorëve vendas dhe të huaj për të operuar në të.
Në këndvështrimin e stabilitetit monetar, rezervat valutore i mundësojnë Bankës së Shqipërisë të ndërhyjë në tregjet valutore vendase në rast të problemeve serioze të funksionimit të tyre, apo në rast të luhatjeve të forta e të dëmshme të kursit të këmbimit. Në këtë këndvështrim, ato ofrojnë një instrument shtesë të kontrollit monetar.
-Në këndvështrimin e kredibilitetit, rezervat valutore garantojnë investitorët e huaj, në rast të krizave të forta valutore të vendit, të cilat cenojnë – në afatin e shkurtër – aftësinë paguese të sektorit publik dhe privat të vendit. Në këtë rast, rezerva valutore shërben si një instrument garancie për kreditorët e huaj, që ekonomia shqiptare ka valutën e nevojshme për respektimin e detyrimeve të saj. Për këtë arsye, një nivel i përshtatshëm rezervash valutore është esencial për të ulur kostot e huamarrjes të sektorit publik dhe privat në tregjet ndërkombëtare të kapitalit.
Nisur nga roli i rezervës valutore, përdorimi i saj bëhet vetëm në raste mjaft të veçanta. Duke analizuar rrethanat ekonomike dhe financiare të vendit, gjykoj se jemi ende mjaft larg plotësimit të premisave të përdorimit të rezervës valutore. Stabiliteti monetar dhe financiar i vendit mbetet solid, sektori bankar nuk shfaq probleme të mungesës së likuiditetit në valutë, vendi është larg kërcënimit të aftësisë paguese të borxhit të huaj dhe qeveria po procedon me emetimin e një Eurobondi në tregjet ndërkombëtare për plotësimin e nevojave të saj.
Po ashtu, dhe në gjykimin tonë po aq e rëndësishme, fondet e nevojshme për adresimin e pasojave të goditjes me të cilën po përballemi mund të sigurohen në tregun lokal dhe në monedhën tonë kombëtare, Lekun. Banka e Shqipërisë ka instrumente të bollshme për plotësimin e nevojave për fonde të ekonomisë në lekë, instrumente të cilat në analizë të fundit shfaqin kosto më të ulët se përdorimi i rezervës pasi Banka e Shqipërisë ka një kontroll të plotë mbi to. Së fundi, gjej me vend të theksoj se rasti i fundit kur është përdorur rezerva valutore, jo në funksion të stabilitetit monetar e financiar të vendit, por për të zbutur pasojat e një krize ekonomike, është fundi i viteve ’80.
Në periudhën imediate të ndryshimit të sistemit politik të vendit dhe fundit të regjimit komunist, në prani të turbullirave të forta ekonomike dhe sociale, Shqipëria u detyrua ta përdorte rezervën valutore për të paguar faturat e importeve të mallrave jetike për vendin. Besoj se Shqipëria është mjaft larg një situate të ngjashme.
Aktualisht, rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë është rreth nivelit 3.2-3.3 miliardë euro. Përtej nivelit nominal, kjo rezervë është në përputhje me kriteret tona të vlerësimit të mjaftueshmërisë së saj. Ajo shërben për të mbuluar mbi 6 muaj importi mallrash e shërbimesh dhe mbi 150% të borxhit të jashtëm afatshkurtër të vendit.
Sa të shpejtë e prisni rimëkëmbjen dhe rikthimin në normalitet?
Pasiguria mbi zhvillimin e pandemisë dhe dëmin që ajo do të lërë pas, e vështirëson përtej normales punën e parashikimit të zhvillimeve ekonomike në të ardhmen.
Në skenarin tonë bazë, pandemia do të sjellë një tkurrje të aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2020. Më tej, me zbutjen graduale të masave të kontrollit, rikuperimi i ekonomisë pritet të jetë relativisht i shpejtë. Rritja ekonomike pritet të kalojë në territor pozitiv në vitin 2021 dhe të ndjekë një trajektore rritëse në vijim. Rritja e kërkesës dhe e punësimit do të ushtrojnë presione për rritjen e pagave, të kostove të brendshme dhe të inflacionit.