Bashkëpunëtorët e drejtësisë, ‘të penduarit’ që ‘fundosën’ shokët e tyre

0

Ftesa për bashkëpunim më drejtësinë i bëhet nga Prokuroria çdo personi që hetohet për krime që dënohen jo më pak se 7 vite burg.

Ligji lejon nënshkrimin e marrëveshjes me prokurorinë kur i pandehuri dëshmon pa asnjë rezervë apo kusht, të gjitha faktet dhe rrethanat që di për shkak të pjesëmarrjes në veprimtari kriminale.

Historia e “të penduarve” të grupimeve kriminale në vend nis me emrin e Petrit Liçit, anëtar i bandës famëkeqe të Lushnjës.

Rrëfimi i tij çoi në hekura dhe dënime të rënda bashkëpunëtorët e bandës, ndërsa ai vetë u dënua me 7 vjet burg.

Adriatik Coli ishte i penduari i “bandës së Durrësit”. Në dhjetëra seanca të zhvilluara me dyer të mbyllura në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Coli dha hollësi nga vrasjet bandës, në disa prej të cilave ishte në rolin e ekzekutorit.

Bashkëpunimi ia uli dënimin me burg përjetë në vetëm 10 vite burg.

Julian Sinanaj, i akuzuar si vrasës me pagesë në procesin ndaj “Bandës së Tritolit”, pranoi bashkëpunim pas arrestimit të tij.

Gjatë procesit, ai u tërhoq nga tre episode kriminale për të cilat foli me herët. Ndihmesa e dhënë për drejtësinë e shpëtoi nga kyçja përjetë në qeli, por u dënua me 30 vjet burg.

Bashkëpunëtor i drejtësisë u bë edhe Mikel Shallari, ekzekutori i ish-kryekomisarit të policisë, Artan Cuku. Pasi pranoi krimin, ai i tregoi prokurorëve emrat e porositësve të vrasjes.

Falë këtij bashkëpunimi u dënua vrasësi i një ish-uniforme blu, ndërsa ai u dënua përfundimisht me 10 vite burg.

Por vetëm dëshmitë e të penduarve nuk janë të mjaftueshme, nëse thëniet nuk mbështeten në prova të tjera, që vërtetojnë akuzat.

Me ndryshimet ligjore të vitit 2017, përveç zbardhjes së rrethanave të krimeve, “të penduarit” duhet të identifikojnë të gjitha pasuritë kriminale të tyre dhe bashkëpunëtorëve./A2Cnn

Artikulli i mëparshëmKoronavirusi/ Edhe infeksioni i butë krijon antitrupa
Artikulli i radhësShëndetësia: Tani është koha të përshëndetemi në këto 3 forma