Ish-Studenti i dhjetorit, Z. Shinasi Rama, flet në një intervistë ekskluzive për gazetën “Shekulli”. Politikanët në Tiranë kanë arritur një dakordësi për të shpërbërë reformën në drejtësi.
Erjon Dervishi
Shpërthimi i beftë i Ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, vuri në lëvizje partitë politike për të mbyllur sa më shpejt reformën zgjedhore. Por duket se palët politike kanë rënë në një dakordësi të fshehtë për të shpërbërë reformën në drejtësi, një investim tepër serioz i faktorit ndërkombëtar.
Për të analizuar më në thellësi krizën politike në vend, gazeta “Shekulli”, ka intervistuar Prof. Shinasi Rama, ish student i dhjetorit dhe pjesë e Partisë Demokraitke në vitet 1990.
Në analizën e tij, Prof. Rama paralajmëron se vendi është në një diktaturë dhe se e shembja e teatrit është një shtysë për të filluar tragjedia.
Para disa ditësh Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Znj. Yuri Kim shpalosi kritika të forta për partitë politike në vend. Sipas mendimit tuaj ku qëndron burimi i këtij reagimi?
Duke folur nga larg dhe duke mos qënë në dijeni të lëvizjeve të fundit, për shkak të luhatshmërisë së lojës që luhet në Tiranë, do të kisha thënë se shkaku i reagimit duket se është bindja se paria e Tiranës, nëpërmjet përfaqësuesve të vet kryesorë e ka arritur një konsensus se si do të shpërbëhet, si pëlhura e Penelopës, reforma në drejtësi. Konsensusi i parisë është i tillë që shkon edhe shumë më tej se kaq. Paria po projekton një shkëputje graduale por të paevitueshme, jashtë një ndërhyrje që ndërron ekulibrat, nga SHBA, NATO dhe BE. Merre si ta marrësh, ky konsensus parasheh shkërmoqjen e çdo shtylle që do ta mbante reformën në drejtësi në këmbë, Shqipërinë si anëtare me të drejta të plota në NATO, dhe si shtet aspirant për të hyrë në BE.
Mirëpo çdo hap që hidhet në këtë ndrrim kursi strategjik e bën gjendjen më të keqe për të gjithë. Buallicat kur janë në llucë, mundohen të dalin duke u përdredhur dhe zhyten më thellë. Kur nuk të hanë krokodili dhe luani, të ha hyena. Ka kaq shumë gjëra që duhen marrë në konsideratë dhe do të flisja për shumë kohë, por është humbje kohe. Pa asnjë dyshim paria e Tiranës, pa asnjë përjashtim, e ka arritur këtë konsensus dhe po ecën me vendosmëri në rrugën e një konfrontimi që do të ketë pasoja të rrezikshme strategjike dhe kombëtare. Pozita e tillë strategjike e shtetit shqiptar, pavarësisht përpjekjes së parisë për të ndjekur një politikë fushe të hapur “edhe Lindje, edhe Perëndim” e bën të pamundur lejimin e kalimit të shtetit shqiptar në anën kundërshtare. Gjërat nuk janë shumë bardh e zi, por për ata që shohin qartë, janë bardh e zi.
Cilat janë sipas jush problematikat më të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë europiane?
Më i pari problem është vendosja e diktaturës. Tani jeni në diktaturë. Paria ka rënë dakord të ketë një diktaturë të përkohëshme përderi në zgjedhjet formle, që do të garantojnë atë ndryshim që iu shërben atyre. Nga këtu ku jeni, megjithatë, ka vetëm një rrugë dhe ajo është shumë shumë shqetësuese. Por kur e sheh njeriu gjendjen e shtetit, ajo është katastrofike në të gjithë aspektet e mundshme të kosniderimit. Krizat e shumta që nga kriza ekonomike, ushqimore, bujqësore, politike, kriminaliteti, përçarja fetare, përçarja etnike, oligarkizimi, rritja e borxhit, papunësia, dhe së shpejti, inflacioni, pakënaqësia në rritje, shkëputja e emigrantëve, rënia e remitancave, ikja massive, shpopullimi i shtetit nga shqiptarët, e me radhë. Ndaisa fetare është kyçi i lojës së ardhshme, literalisht jeni Libani i Ballkanit. Është vetëm një çështje kohe para se ai vend të shpërthejë në përplasje fetare dhe etnike, me ndërhyrjen e shteteve fqinje dhe të fuqive të mëdha. Nuk e di çfarë gjëje europiane keni ju përveç Eurove që vijnë nga droga. Ndoshta brekët firmato? Po ta shohësh me kujdes edhe ato i keni të bëra në Kinë e në Bangladesh. Megjithatë, dikur keni thënë se do të hani bar e parimet nuk i shkelni. Tani pini bar dhe ruani parinë. Megjithatë, tymi nuk del menjëherë, do të duhen edhe ca muaj.
Si e komentoni prishjen e teatrit kombëtar?
Personalisht më ka ardhur keq. Duhej të ruhej sepse aty kanë ndodhur shumë ndodhi me rëndësi historike. Ka vende Tirana sa të duash për teatër të ri. Mund të bëhej edhe në Surrel. Artdashësit shkojnë edhe atje për kryeveprat që shfaq ai teatër sidomos kur e dinë se me autostradën e re mund të mbrrijnë për pak kohë, dhe pa dyshim do të shohin edhe kryeministrin në sallë. Mirëpo politikisht kjo ishte një manovër që i shërbeu shumë kujt dhe e galvanizoi parinë në lojën e re që i duhet momentalisht me i nxjerrë ‘protestuesit’ nga vrima e karantinës. Shmangu vëmendjen nga gjendja reale. Ia dha një kauzë idjote opozitës që doli nga vrima dhe u fut sërish në vrimë. Iu dha shikueshmëri njerëzve që duhen si figura opozitare për aleancat e nesërme edhe pse janë për tu dhimbsur. Mbajti premtimin që iu kishte dhënë ndërtuesve dhe nuk duhet të kthejë paratë. Diskreditoi kryetarin e bashkisë së Tiranës si KM i mundshëm dhe kandidat për rizgjedhje në vjeshtë. Ç’orientoi shtypin dhe mediat. Ia tregoi dhëmbët e diktaturës dhjeramanëve të Tiranës. Ishte një shfaqje e policisë diktatoriale me skalione policiore, paraushtarake, dhe polici sekrete e mercenarë. Iu tregoi të huajve se nuk pjerdhim për ju dhe e mbajmë me dhunë po u desh. Tregoi se oligarkia i bën llogaritë si don vetë. E kështu me radhë ishte një lëvizje shumë e llogaritur mirë dhe që pati efektin që deshi kryeministri, Ilir Meta dhe Sali Berisha. Tani që iku tymi po shihet se Teatri duhej me shamngë vëmendjen nga Reforma, nga konfrontimi me të huajt, dhe me krijue mundësinë e kthimit të protestave dhe përplasjes në rrugë që të mund të justifkohen masat që do të çojnë në zgjidhjen e problemit sipas planit të parisë. Teatri u shemb por tani nis drama apo tragjedia për të cilën shërbeu si prolog./shekulli