Nuk rrëzuan Albinin, por përdhosën ndryshimin

0

Nga Andi Bushati

Historia e bukur e protestave studentore të majit ’68 në Paris dhe në të gjithë Francën ka lënë trashëgim, mes shumë të tjerave edhe një sllogan që është marrë dhe rimarë disa herë më pas: “Election, piges a cons”. Kësaj parrulle, pra se zgjedhjet janë një kurth për budallejtë, mbi të cilën kanë filozofuar nga Sartri e deri tek Alë Badiu, i kushtoi disa vite më pas një skeç të famshëm humoristi i ndjerë francez, Kolysh:  “Nëse votimet do të ndryshonin diçka, ato do ishin të ndaluara prej kohësh”, thoshte ai.

Në mënyrë më banale dhe më vulgare, kjo fabul e parathënë që shekullin e shkuar është përsëritur edhe në Kosovë. Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, si cili ka noterizuar zhbërjen vullnetit  të gjashtë tetorit, është një provë më shumë se sido që të votojë populli, në fund është një kastë ajo që vendos.

Është e kotë pas kësaj të kalamendesh, nëse gjykatësit kushtetues të Prishtinës kanë të drejtë apo jo kur thonë “njëzëri” se triumfi i një mocioni nuk çon automatikisht në zgjedhje, nëse ata janë në mirbesim kur teorizojnë mbi afatet e fillimit dhe fundit të kohës së një mandatari, për të paraqitur një kabinet qeverisës.

Është gjithashtu e pafrytshme të fillosh e të qëmtosh se si përkonin deklaratat e kushtetueses me ato të presidentit dhe se si, në rrethana të tjera dikur, Gjykata kishte bërë interpretime te ndryshme.

Morali i kësaj fabule është i thjeshtë: një pakicë dominante nuk do ta lëshojë pushtetin, cilido që të jetë vullneti i shumicës së popullsisë për këtë.

Në këtë kuptim, çertifikimi që në prag mesnate i’u bë në rrugë gjyqësore, një grushti shteti të nisur më parë, nuk është një goditje, as ndaj Vetvendosjes, as ndaj Albin Kurtit. Ai përbën mbi të gjitha një përdhosje të inspiratave të atyre që votuan në fillim të tetorit.

Ai është konfirmimi se një grusht ish komandantësh, që shpesh janë sjellë me këtë vend më keq se Arkani, vazhdojnë ta shohin atë si një tokë për të bërë plaçkë lufte.

Ai është konfirmimi se klani Pronto nuk ka ndërmend ti lëshojë me asnjë çmim, postet nevralgjike dhe pasuruese të shtetit.

Ai është konfirmimi se kjo klikë mund të bëjë aleancë me çdo gangster ndërkombëtar, për të vazhduar të qëndrojë në pushtet.

Ai është konfirmimi se ata janë të gatshëm të falin territore, të pranojnë trajtim jo reciprok nga Serbia, vetëm që të vegjetojnë në kolltukët e tyre.

Ai është konfirmimi, se ata mund të dorzojnë lehtësisht dinjitet, fytyrë, premtime para zgjedhësve, vetëm për të mos hequr dorë nga e drejta për të bërë tendera dhe ndarë përfitime.

Natyrisht edhe Albin Kurti dhe Vetëvendosja kishin mundësi dhe dinin ti bënin këto. Por ata bënë një zgjedhje, nuk kërkuan një zgjidhje.

Edhe ata, mundeshin ti firmosnin Rik Grenellit mbi një fletë të bardhë, që të bënte ç’të donte me dialogun dhe kufijtë e Kosovës. Por ata vendosën shtetin para pushtetit.

Edhe ata dinin të joshnin me favore, punësime familarësh, para publike ndonjërin nga ata deputetë që rrëzuan qeverinë vetëm pas 45 ditësh, por ndonëse kjo është një praktikë pothuajse e zakonshme në Ballkan, me kabinetin Kurti një gjë e tillë nuk ndodhi.

Edhe ata dinin të joshnin me njëmijë e një mënyra që të ofron pushteti, ndonjërin nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, por këta të fundit votuan “njëzëshëm” në favor të atyre që i kanë instaluar prej kohësh këto marëdhënie klienteliste.

Pra, Albin Kurti nuk është se nuk e kishte para vetes obsionin për t’u servilosur ndërkombëtarisht, për të korruptuar lokalisht, në emër të mbajtjes me çdo kusht të pushtetit. Por mes saj dhe qëndrimit besnik ndaj mandatit që i kishin dhënë votuesit, ai respektoi virtytshëm të dytën.

Prandaj, të gjitha akuzat për mospasjen e përvojës, mungesën e elasticitetit, arrogancën dhe paaftësinë për të ndarë pushtet, si shkaqe që sollën rrëzimin e qeverisë, janë foshnjarake në argumentim dhe të sforcuara në logjikë.

Albinin dhe ata që e ndoqën në aventurën e pafat të një transformimi radikal, i përmbysën vetëm për një shkak: se ata këmbëngulën deri në fund për ti qëndruar besnikë vullnetit të zgjedhësve, që binte katërcipërisht ndesh me interesat e shumicës së kastës në Prishtinë.

Në këtë kuptim, ata që e kryen këtë puç, nuk i kanë borxh as Albin Kurtit dhe as Vetëvendosjes, ata ia kanë atë popullit të tyre.

Tani raporti nuk është më mes atyre që ranë dhe atyre që po ringrihen, por mes qytetarëve të nëpërkëmbur, të indinjuar, të revoltuar, të cilëve u lind e drejta që të bëjnë gjithçka për të rikthyer në vend dinjitetin e tyre. Tani radhën e kanë ata. Për të treguar se nuk janë një kope delesh që i shpien më kot para kutive të votimit. Për të dëshmuar se ka një pjesë të shoqërisë kosovare, që zgjedhjet nuk i sheh si kurth për budallejtë.

Artikulli i mëparshëmTërbohen grekët: Edi Rama do t’i japë Erdoganit bazën detare të Pashalimanit
Artikulli i radhësSTRATEGJIA: Mbi 80% të ndërmarrjeve shqiptare i përdorin mediet sociale për marketing dhe shitje