Euforinë e minutave të fundit në luftën ndaj pandemisë, kryeministri Rama e ka krahasuar me dështimet e kombëtares që pëson golat në minutat shtesë. Por sërish nuk e ka përmbajtur entuziasmin, kur sheh të ulen shifrat për numrin e pacientëve të shtruar në spitale nga Covid 19.
Në 10 ditët e fundit, kurba është në rënie dhe të jep idenë që piku ka kaluar.
Tabelat që Rama publikon në rrjetet sociale bëjnë, ku bëhen krahasime në shifra mes numrit të të vdekurve, të të infektuarve dhe të të shëruarve nga Covid-19 mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera, zakonisht japin një panoramë optimiste të pandemisë, krahasuar me shtetet e tjera.
Kështu ndodh edhe ne tabelën e fundit, për të cilën Rama thotë se është rezultat i masave të mara dhe zbatimit të tyre nga qytetarët.
“Shumë e rëndësishme: falë masave të shpejta e të forta dhe rezistencës suaj të shkëlqyer, 10 ditët e fundit kemi rënie graduale të shtrimeve në mjediset spitalore COVID. *Ky tregues që e has shumë pak, për të mos thënë fare në vendet e tjera nën agresion, ku mbingarkesa e spitaleve po vjen si haraç për vonesat në marrjen e masave, na thotë qartë se e para, po bëjmë gjënë e duhur, e dyta duhet të vazhdojmë kështu me durim sepse armikun e kemi pas çdo porte”
Në pikën e tretë, Rama nuk e përmban entuziasmin dhe kalon në termat e fjalimeve të fushatave: “Po vazhduam kështu, do dalim më shpejt fitimtarë se shumë të tjerë dhe me kokën lart përpara brezave që vijnë nga kjo sfidë historike”.
A është koha për të festuar? A ka kaluar piku i pandemisë? Këto pohime, askush nuk i thotë dot me zë të lartë, por mes dëshpërimit që shkakton jeta në karantinë, vështirësive të izolimit dhe paralizimit të ekonomisë, kjo rënie e numrit të pacientëve në spitale, mund të jetë një fije në drite në fund të tunelit.