Gjyqtarja e Apelit Tiranë tërhiqet nga çështja e Bashës. “Ka marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore familjare”

0

Gjyqtarja e Gjykatës së Apelit, Fatmira Hajdari, ka dhënë dorëheqjen nga gjykimi i çështjes ndaj kreut demokrat Lulzim Basha, ish-sekretarit të Përgjithshëm Arben Ristani dhe financierit të PD-së Ilir Dervishi për lobimin rus.

Në seancën e parë gjyqësore, Hajdari ka njoftuar se kërkesën e saj do t’ia paraqesë kryetarit të Gjykatës.

Dorëheqjen e ka argumentuar me faktin që çështja të mos paragjykohet.

Seanca e radhës do të zhvillohet me 30 prill, ora 10:00.

“Basha ka qenë disa herë në shtëpinë time si kryetar i opozitës në ceremonitë për bashkëshortin tim. Pres që kërkesa ime të pranohet”, ka thënë ajo.

Hajdari ishte zgjedhur nga shorti për të kryesuar trupën, në përbërje të së cilës ishin dhe Alaudin Malaj dhe Shpresa Beçaj, që do të shqyrtonte apelimin Prokurorisë ndaj vendimit të marrë nga gjyqtari Lazër Sallaku që pushoi hetimin ndaj kryedemokratit Basha.

Gjyqtari Lazër Sallaku i cilësoi provat të pavlefshme duke rrëzuar akuzën për falsifikim kundër Lulzim Bashës dhe dy zyrtarëve të tjerë të PD-së, pasi sipas tij nuk faktohet një gjë e tillë.

Prokuroria nuk ishte dakord dhe vendosi ta apelonte ndërkohë që grupi i prokurorëve u nda në dy qëndrime ku njëri prej tyre, Kol Hysenaj, kërkoi rikthim të akteve për vijimin e hetimeve ndërsa tjetri vazhdimin e gjykimit.

Tashmë verdikti final për këtë çështje pritet të merret nga Gjykata e Apelit, nëse do të lërë në fuqi vendimin e Lazër Sallakut apo do të pranojë kërkesën e një prej prokurorëve për të rikthyer aktet për hetim.

Artikulli i mëparshëmHajdari kërkon llogari nga mazhoranca për zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore
Artikulli i radhësCOVID-19/ Policia gjobit 2 fasoneri në Krujë. Bllokohen mjetet që transportonin punëtorët