Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzon qeverinë dhe kryeministni Edi Rama se dështoi të përballojë situatën e COVID-19. Gjatë një lidhje direkte për News24, lideri i opozitës tha se sipërmarrjet fasone janë kthyer sot në vatra epidemike për shkak se qeveria nuk pranoi të paguajë rrogat e të punësuarve, ndërsa nga ana tjetër vijon të shlyejë fatura të majme për oligarkët përmes koncesioneve.
“Shikoni çfarë po ndodh me fasonët. Nuk u mbyllën sepse qeveria nuk pranon të paguajë pagat e të punësuarve dhe sot kemi epidemi te këta punonjës. I çon paratë te oligarkët por jo te qytetarët. Shumica prej tyre marrin rroga minimale. Këto 6 javë po e çon vendin drejt humnerës. Ne kemi propozuar 5 hapa për daljen e vendit nga kriza. Paratë janë, por Rama ka vendosur që këto para t’i lërë në xhepat e dhjetëra oligarkëve. Jemi qindra hapa pas në raport me atë çfarë duhet bërë, sepse kemi qeveria ka të dështuar, të papërgjegjshme që po bën gjithçka për të mbuluar dështimin. Pasojat janë të ndjeshme kudo. Për rastin e fasonëve është direkt përgjegjës për krijimin e vatrave të infeksionit. Për 7 vite ka rritur taksat, ku janë sot ato para? Dëgjojini ato zonjat (punonjëse fasone) që kanë mbetur të braktisura dhe në baltë nga kjo qeveri”, u shpreh Basha.
Basha iu referua edhe testimeve. Sipas tij, aty ku rriten testimet rritet edhe numri i të infektuarve, ndërsa shtoi se Qeveria bën pak testime për të mbuluar numrin real të të prekurve.
Gjithashtu, kryedemokrati tha se opozita mbështet zërin e qytetarëve, duke iu referuar protestave në Berat dhe Durrës. “Qytetarët me të drejtë po ngrejnë zërin e tyre, i kemi parë në Berat, në Durrës dhe në zona të tjera të vendit. Opozita siç ka qenë në krah të qytetarëve, do të vazhdojë të jetë zëri i tyre. Paratë e shqiptarëve duhet të shkojnë për qytearët, dhe jo në dorë të një grushti oligarkësh. Mjafton të marrë mësim nga vendet fqinje. Deri sot është tërësisht i dështuar në përgjigje ndaj krizës. Mbështesim me të gjitha format protestat e qytetarëve për t’i dhënë fund keqmenaxhimit të situatës nga qeveria. Ajo që nuk do të bëjmë është të kanalizojmë këtë zemërim popullor për interesat tona politike. Por ne mbështesim zërin e qytearëve”, tha Basha.