BE: Samiti i Zagrebit do të mbahen online më 6 maj

0

Samiti i Zagrebit, që ishte dashur të zhvillohej me 6 dhe 7 maj në kryeqytetin e Kroacisë, vendin që kryeson me BE-në deri në fund të qershorit, do të zhvillohet në formën e video-konferencës me 6 Maj.

Këtë e ka konfirmuar sot (23 prill) në Bruksel, presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel dhe presidenca kroate e Bashkimit Evropian.

Për këtë datë janë marrë vesh shefat e shteteve apo qeverive të BE-së të cilët të enjten kanë zhvilluar samitin e tyre për të shqyrtuar masat për rimëkëmbjen ekonomike të BE-së pasi të kaloj kriza e pandemisë së koronavirusit.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq dhe presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, kanë diskutuar në një bisedë telefonike të mërkurën për datën e konferencës në nivelin më të lartë të 27 shteteve të BE-së dhe 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ideja për zhvillimin e samitit të Zagrebit ishte përmendur para një viti dhe Kroacia donte në këtë mënyrë të rikujtonte zotimet që BE-ja i kishte dhënë për Ballkanin Perendimor në samitin e Zagrebit në vitin 2000.

Në 20 vjetorin e atij samiti Kroacia dëshironte që BE-ja të dëshmoj përkushtimin për vazhdimin e procesit të zgjerimit dhe ti jep një shtytje të re këtij procesi.

Kroacia, së bashku me Komisionin Evropian, ishte angazhuar fuqishëm që të arrihej pajtimi për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ky vendim u miratua para disa javësh dhe shihej si një sukses i cili do ta lehtësonte edhe zhvillimin e suksesshëm të samitit të Zagrebit.

Edhe pse në rrethana të reja, pa praninë fizike, zhvillimi i këtij takimi nga BE-ja vlerësohet si dëshmi e përkushtimit për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Pos vazhdimit të procesit të zgjerimit pritet që në këtë video-konferencë me shtetet e Ballkanit Perendimor të diskutohet edhe përballja me pandeminë dhe nevojën që edhe këto vende të kyçen në përpjekjet e përbashkëta me përballjen me pasojat.

Artikulli i mëparshëmPse rrezikon bota Arabe të goditet më rëndë nga pasojat ekonomike të COVID-19
Artikulli i radhësLira Gjika: “Kur fëmija bërtet që t’i plotësoni kërkesën, mos u nënshtroni!”