A do ta rrëzojë pandemia të plotëfuqishmin Putin?

0

Mjekët e keqpaguar po japin dorëheqjen masivisht, pasi kanë frikë për jetën sepse u është thënë të trajtojnë pacientët me koronavirus pa pajisjet e nevojshme mbrojtëse në një sistem shëndetësor vazhdimisht të keqfinancuar.

Ambulancat po mbajnë radhën me orë të tëra për të dërguar pacientët në spitalet e tejmbushura, ku stafi mjekësor nuk ka oksigjen dhe ka nevojë deri në dëshpërim për ventilatorë, të cilët janë blerë nga miliarderët, që kanë ngritur klinikat e tyre private në vilat luksoze.

Çmimet e naftës kanë rënë duke bërë që baza kryesore e të ardhurave në vend të futet në qorrsokak, ndërsa ka një zemërim në rritje se qeveria po favorizon me ndihma oligarkët e pasur përpara pronarëve të bizneseve të vogla.

Këto janë efektet e rrezikshme të pandemisë në Rusi. Tani analistët dhe armiqtë politikë të Vladimir Putin po pyesin nëse mbretërimi i tij i gjatë dhe brutal mund të bjerë si viktimë e krizës.

“Putin nuk shqetësohet për humbjen e jetëve, por vetëm për humbjen e pushtetit,” tha ish-kampioni botëror i shahut, Garry Kasparov, aktualisht aktivist i të drejtave të njeriut.

“Diktaturat e një njeriu janë të rrezikshme, por të brishta. Nëse krizat ekonomike dhe shëndetësore kombinohen për të kapërcyer frikën e njerëzve nga policia, gjërat mund të ndryshojnë shumë shpejt. Të gjithë aleatët e Putin duhet të shfrytëzojnë momentin që të kthehen kundër tij, për të shpëtuar veten më mirë”.

Ish-agjenti i KGB, i cili çmon stabilitetin dhe promovon veten si një burrë shteti i fortë në rang global, papritmas duket i dobët kundër një armiku të ri të padukshëm.

Shifrat e fundit thonë se janë 74 mijë raste të konfirmuara në një popullsi prej 145 milionë banorësh- me 681 vdekje, edhe pse shifrat e mëparshme ishin 37 përqind më e lartë, por vdekjet u zbritën duke thënë se aty ishin përfshirë të gjitha pneumonitë, çka shton pretendimin se shteti po manipulon të dhënat.

“Qeveria po gënjen hapur,” thotë Anastasia Vasilyeva, një mjeke, presidente e sindikatës mjekësore dhe aleate e liderit kryesor të opozitës. Ajo u arrestua nga policia disa ditë më vonë gjatë një udhëtimi për të hetuar furnizimet spitalore dhe u gjobit për shkelje të rregullave të izolimit.

Shumë mjekë kanë lënë detyrën në të paktën pesë qytete pasi iu tha se duhet të punonin me pacientët e infektuar pa mbrojtjen e përshtatshme. Mjekët fitojnë mesatarisht 1 mijë euro në muaj.

Në Moskë, aty ku është epiqendra e epidemisë, mjekët po shkruajnë letra dorëheqje pasi nuk pranojnë të punojnë pa mbrojtje.

“Ata duan që të shpëtojnë jetë, por nuk duan të shkojnë drejt vdekjes së sigurt,” tha vajza e një mjeku.

Pamjet nga Shën Petersburgu tregojnë pacientët e shtrirë në dyshekë nëpër korridore. “Nuk ka oksigjen,” tha një punonjëse.

Po ashtu ka pasur zemërim nga bizneset e vogla për paketat e ndihmës deri më tani shumë më të vogla se vendet e tjera. Ato janë fokusuar kryesisht te firmat e mëdha, të kontrolluara nga oligarkët e Kremlinit. “Përse tani, që kam më shumë nevojë, shteti më kthen shpinën”, tha Natalia, që ka parë biznesin e saj në Novosibirsk të falimentojë.

Rusia kishte një sistem të mirë shëndetësor në komunizëm. Kur ra komunizmi, ata kishin më shumë ventilatorë për kokë se Britania. Por tani shumica janë të vjetër dhe jashtë pune.

Ventilatorët e tjerë po blihen nga pasanikët, që janë izoluar në vilat e tyre.

Të pasurit e pranojnë se po blejnë ventilatorët. “Kemi një, duam të marrim dy të tjerë,” tha anëtari i një familje miliarderësh në rrethinat e Moskës.

Pozitat e Putin nisën të lëkunden që para krizës. Kur koronavirusi goditi në Kinë fillimisht, u duk se Rusia po merrte masa. Por kur infeksioni erdhi në Europë, Putin e sfidoi hapur.

Aktualisht vendi është shumë larg pikut dhe nuk ka asnjë shenjë që po nis sheshimi i kurbës. Një sondazh zbuloi se 60 përqind e popullsisë nuk i beson informacioneve zyrtare për virusin.

Artikulli i mëparshëmKlevis Balliu: Sot asnjë i arrestuar për megaaferën korruptive në Unazën e Re
Artikulli i radhësKlopp i telefonon babait të Mbappes