Qentë dhe psikiatria

0

Nga Edmond Tupja

Para gati një jave, duke lundruar në internet, më saktë në Yahoo, mësova diçka që vërtet më intrigoi, madje më intrigoi aq sa m’u forcua bindja se së shpejti koronavirusi do t’i kishte ditët të numëruara.

Po, po, lexuese e lexues të ankthshëm të rubrikës sime, koronavirusi do t’i kishte ditët të numëruara falë një risie në saje të së cilës shkenca mjekësore do ta zbulonte praninë e tij tek çdo qenie njerëzore shpejt, lehtësisht, lirë e me sigurinë më të madhe.

Ja si qëndron çështja: Në Francë, Dominique Grandjean-i, profesor në shkollën veterinare të Maisons-Alfort-it të rrethit të Val-de-Marne-s, qenka shprehur se janë bërë disa prova për të parë nëse qentë mund të diktojnë koronavirusin dhe se rezultatet qenkan vlerësuar si premtuese: Bruce, një qen pastor dy vjeç, i stërvitur më parë për të gjetur personat e zhdukur, si edhe për zbuluar praninë e lëndëve shpërthyese, ka arritur të pikasë, sigurisht falë nuhajtjes, praninë e koronavirusit në një provëz apo shishkë, aq më tepër që tashme dihej se ata, pra qentë, janë të aftë të diktojnë disa sëmundje virale tek lopët, demat e buajt.

Gjithsesi, nëse qentë mund t’i bëjnë njerëzimit një shërbim të tillë, sigurisht që edhe mjekësia shqiptare do të përfitojë jashtëzakonisht prej atyre, madje jo vetëm ajo, por edhe ekonomia jonë. Si kështu? Mund të habiten lexueset dhe lexuesit e mi ose të karantinuar, ose të shtetrrethuar, ose të vetizoluar, ose të ngujuar.

Po, po, besomëni, sepse gjithë qentë e rrugëve e të rrugicave, e shesheve e të sheshnajave, e fushave e të fushnajave, me matrikulla ose jo veshëve, do të mund të regjistrohen në shkolla qensh brenda dhe jashtë vendit për t’u specializuar si zbulues virusesh, mikrobesh e bakteriesh të dëmshme për shëndetin publik e privat, kolektiv e individual, politik e ekonomik etj., etj. Në këtë pikë, më duhet t’i kujtoj, sidomos popullatës së kryeqytetit, largpamësinë e Erion Veliajt, i cili, para disa vitesh, gjatë mandatit të tij të parë si kryebashkiak, u kërkoi tërë fëmijëve kryeqytetas të birësonin nga një qen secili, nismë kjo që dështoi në mënyrë të shkëlqyer, por, sikur të kishte dalë me sukses, çdo familje shqiptare ( sidomos me shumë fëmijë) mund të ishte pasuruar sikur qeni apo qentë e birësuar prej asaj të bëheshin me gjasë po aq të ditur e të dobishëm sa edhe pastori Bruce, në radhë të parë për Shqipërinë, por edhe për vendet e Bashkimit Europian dhe, natyrisht, për mbarë njerëzimin.

Ç’mrekulli mallëngjyese do të ishte për çdo kryeqytetas apo provincial shqiptar të shihte tek dera e çdo shtëpie, e çdo institucioni publik apo privat, e çdo ministrie dhe, pse jo, edhe tek hyrja e kryeministrisë apo e presidencës së Republikës, një qen (mashkull apo femër qoftë), që i afrohet atij, e nuhat butë-butë në fytyrë, e lëpin ëmbël-ëmbël tek hunda e tek buzët, pastaj nëse ai, kryeqytetasi apo provinciali, rezulton negativ ndaj koronavirusit, qeni tund bishtin gëzueshëm dhe i hap rrugën, por nëse rezulton pozitiv, atëherë ai i urinon (në rastin më të mirë) ose i lëshon (në rastin më të keq) një kacarrum shtazor taze tek këpucët duke e detyruar me të lehurat e tij gjëmimtare të kthehet mbrapsht pa humbur kohë.

Nga ana tjetër, po në Yahoo, mësova që në Francë gjithashtu, në spitalin psikiatrik Saint-Anne të Parisit, personeli mjekësor et sanitar kishte vënë re se, qysh në fillimet e epidemisë së koronavirusit, pjesëtarët e tij ishin prekur nga covid-19-a në masën 19 përqind, kurse pacientët e tyre vetëm në masën 3 përqind! E njëjta dukuri është vërejtur edhe në spitale të tjera psikiatrike në Francë, por gjithashtu edhe në Kinë, Spanjë e Itali. Duke u nisur nga këto të dhëna, mjekët e spitalit psikiatrik Sainte-Anne kanë arritën në përfundimin se pacientët e tyre janë më të mbrojtur se ata vetë nga koronavirusi si pasojë e mundshme e veprimit të medikamenteve psikotrope që përdoren gjerësisht në këta lloje spitalesh.

Midis këtyre barnave shkencëtarët janë përqendruar në veçanti te klorpromazina, që përdoret për të kuruar çrregullimet e bipolaritetit dhe të skizofrenisë, çka e konfirmojnë edhe eksperimentet e para që janë bërë in vitro në bashkëpunim me Institutin Pasteur, sipas të cilave, a priori, ekziston un veprim antiviral i klorpromazinës ndaj SARS-CoV-2-shit, kushëri me të cilin duhet të jetë edhe covid-19-a. Në këtë pikë gjithashtu, kam mendimin se do të ishte e dobishme, duke pasur parasysh rrethanat e rrepta të ngujimit ku jetojmë, sikur në strukturat më të rëndësishme të pushtetit qendror, por edhe të atij vendor, të kishte psikiatër të aftë e të trajnuar enkas në mënyrë që klorpromazina t’u jepej menjëherë kuadrove drejtuese, veçanërisht në majë të piramidës sonë shtetërore, në rastin më të parë të molepsjes së tyre nga covid-19-a, duke i mbrojtuar kështu ata – një rrugë e dy punë – edhe nga bipolariteti ose skizofrenia, dy sëmundje këto me rrezikshmëri fort të lartë për individët që qëndrojnë në pushtet më gjatë sesa dëshiron e duron populli!

Artikulli i mëparshëmA është Zvicra vërtetë “parajasa e pasur”? Pandemia detyron më shumë se 1 mijë persona të presin në radhë për ushqim
Artikulli i radhësDel raporti i Këshillit të Europës: Qeveritë “ti mbajnë duart” larg mediave