
Tragjedia e 14-vjeçarit Martin Cani mbetet një plagë e hapur për shoqërinë shqiptare dhe një provë e hidhur e mënyrës se si shteti di të heshtë përballë dhimbjes së njerëzve të zakonshëm.
Pas vrasjes së tij me thikë në ambientet e shkollës, në vend që të kishte reflektim e ndjeshmëri, ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, zgjodhi heshtjen dhe shmangien. Në vend që të shkonte pranë familjes, ajo deklaroi publikisht se “ngjarja ndodhi jashtë shkollës” — një fjalë që tentoi të zhvendosë përgjegjësinë, por që vetëm sa thelloi plagën e prindërve.
Në kujtesën e shqiptarëve ka mbetur ajo ngerdheshje e turpshme në Parlament, kur deputetët kërkonin një minutë heshtje për 14-vjeçarin e vrarë. Në atë çast, një ministër duhej të ngrihej për dinjitet, jo të ulte sytë për politikë.
Sot, nëna e Martinit flet me zërin e një nëne që nuk kërkon më premtime, por drejtësi.
Ajo kujton se pas plagosjes, Martini nuk u dërgua në QSUT, spitalin e vetëm me kardiokirurgji, por në Spitalin e Traumës, ku mungonin specialistët dhe pajisjet për ndërhyrje në zemër — vendim fatal që i mori jetën.
Sistemi arsimor dështoi dy herë: një herë kur nuk e mbrojti, dhe një herë tjetër kur e la të vdiste pa reagim.
Asnjë oficer sigurie, asnjë drejtues shkolle, asnjë autoritet nuk mori përgjegjësi. As sot, shkolla “Fan Noli” nuk ka kërkuar ndjesë.
Nëna e Martinit e mbyll reagimin e saj me një fjali që trondit:
“🕯️ Martini nuk ka më zë, por ne do të flasim për të — si prindër dhe si qytetarë — derisa drejtësia të vendoset.”
Në Shqipëri, drejtësia për një fëmijë që humbi jetën në shkollë është ende e vonuar. Por heshtja e institucioneve është ajo që e vret përditë kujtimin e tij.
