KËSHILLAT: Luleshtrydhet janë të shëndetshme por diabetikët duhet të bëjnë kujdes

    0
    luleshtrydhe

    Nga Francesca Basha*

    Si fruta tipike të pranverës, luleshtrydhet janë të pasura me vitaminë C dhe komponime me veprimtari antioksiduese, anti-inflamatore dhe anti-tumorale.

    Le të zbulojmë të gjitha përfitimet dhe vetitë ushqyese të luleshtrydhes.
    Fruti i kuq që të gjithë ne njohim mirë, në realitet nga pikëpamja botanike, nuk është një frut por një “enë” qe përmban shumë fruta sëbashku (farat e verdha që mund të shohim në sipërfaqen e kuqe të luleshtrydhes).

    Origjina e luleshtrydhes është shumë e lashtë ku prania e saj konfirmohet edhe në epokën e Neolitit. Luleshtrydhet, së bashku me manaferrat që i përkasin familjes së bimëve Rosaceae ose familjes Ericaceae, të tilla si boronica, konsiderohen ndër burimet më të pasura ushqimore të komponimeve bioaktive me veti të shkëlqyera antioksiduese.

    Prandaj një dietë e shëndetshme dhe e ekuilibruar nuk duhet të privohet kurrë nga këto fruta shumë të rëndësishme.

    Le të zbulojmë tani të gjitha vetitë e luleshtrydheve dhe përfitimet që ato sjellin për shëndetin tonë.

    Luleshtrydhet: Karakteristikat dhe vlerat ushqyese

    Luleshtrydhet janë një burim shumë i pasur i komponimeve të ndryshme ushqyese dhe në veçanti sheqernat, vitaminat, flavonoidet dhe antocianinat. Këto molekula ushqyese, duke vepruar në mënyrë sinergjike u japin luleshtrydheve veti të dobishme për të përmirësuar shëndetin dhe për të parandaluar patologji të ndryshme.
    Përmbajtja e sheqerit tek luleshtrydhet nuk është e ulët, me më shumë se 5 g në 100 g luleshtrydhe, dhe për këtë arsye, konsumi i bollshëm nuk këshillohet në rast të mbipeshës dhe sigurisht diabetit. Ato gjithashtu përmbajnë një sasi të mirë të fibrave. Ndër mineralet, në veçanti dallojmë manganin dobishmëria e të cilit do të përshkruhet në paragrafin vijues. Rreth 100 gr luleshtrydhe përmbajnë 13% të dozës ditore të rekomanduar për sa i përket këtij minerali. Ndër vitaminat, më e përfaqësuara është padyshim vitamina C. Mes frutave tipike verore, luleshtrydhet kanë përmbajtjen më të lartë të kësaj vitamine: 58 mg në 100 gr produkt ku konsumi i rekomanduar ditor është 85 mg për gratë ndërsa 105 mg për burrat. Mund të themi se rreth 4-5 luleshtrydhe përmbajnë aq vitaminë C sa një kokërr portokall.

    Luleshtrydhet: Vetitë ushqyese

    Përveç manganit dhe vitaminës C, të cilat i përmendëm në paragrafin e mëparshëm si minerali dhe vitamina më e përfaqësuar nga luleshtrydhet, ka shumë të tjera që meritojnë të përmenden. Si në shumë fruta të tjera, në të vërtetë, edhe në luleshtrydhe gjejmë sasi të mira të kaliumit (një mineral themelor për tkurrjen e muskujve, rregullimin e presionit të gjakut dhe mirëmbajtjen e hidratimit të trupit) dhe fosforin (i përfshirë në metabolizmin energjitik të trupit tonë dhe në ndërtiminin e shumë proteinave): 100 gr luleshtrydhe përmbajnë rreth 4% të dozës ditore të rekomanduar të këtyre dy mineraleve.Gjithashtu gjejmë një sasi të mire të jodit, të krahasueshme vetëm me shumë pak fruta të tjera. Ne besojmë, në këtë drejtim, se është një faktor që duhet të merret në konsideratë, duke pasur parasysh mungesën e përhapur të jodit që prek popullatën botërore sot.
    Do shohim më poshtë vetitë e mikronutrientëve kryesorë, duke u përqëndruar në ato më të përfaqësuarat.

    Vitamina C: Luleshtrydhet janë të pasura me vitaminë C, një substancë antioksiduese e domosdoshme për sistemin tonë imunitar. Vitamina C gjithashtu është e përfshirë në sintezën e kolagjenit dhe është e rëndësishme për asimilimin e hekurit nga qelizat e kuqe të gjakut;

    Mangani: Mineral i domosdoshëm në reaksione të shumta enzimatike dhe thelbësore për rritjen e kockave dhe artikulacioneve, për sintezën e kolagjenit dhe për metabolizmin e karbohidrateve, yndyrnave, dhe disa hormoneve.

    Jodi: Mineral thelbësor për funksionimin e tiroides, një gjëndër endokrine e vendosur në bazën e qafës që prodhon hormonet që përmbajnë jod, të domosdoshme për proceset e shumta metabolike dhe për procesin e rritjes;

    Folate: Vitamina thelbësore për gratë në tremujorin e parë të shtatëzanisë, mungesa e te cilëve ngadalëson sintezën e ADN-së dhe ndarjen e qelizave, shkakton forma të ndryshme të anemisë dhe mund të krijojë probleme në shtyllën kurrizore;

    Te ludheshtrydhet gjenden dhe flavonoide, më të pranishmit janë kampferoli dhe kuercitina. Ato përmbajnë gjithashtu dhe antocianina të ndryshme, përgjegjëse për ngjyrën tipike të kuqe te këtyre frutave. *Nutricioniste/Shëndet Plus

    Artikulli i mëparshëmStudimi kinez: Ja pse u përhap kaq shumë koronavirusi
    Artikulli i radhësAthina: Greqia ka krijuar “vija të kuqe” ndaj Turqisë