Receta e përsosur e patëllxhanëve të pjekur me djathë

0

Një kombinim i shkëlqyer i patëllxhanëve dhe djathit të bardhë, vezëve dhe erëzave. Foto: Flickr

Patëllxhanët janë ndër perimet fantastike që pavarësisht mënyrës apo recetës së përgatitjes të tërheqin përherë oreksin.

Vlerat fantastike të patëllxhanit vijnë kryesisht nga vitaminat dhe mineralet. Patëllxhani është i mbushur me vitamina C, K, B6, magnez, fosfor, bakër, fibër, acid folik, potas dhe mangan.

Të përgatitur në gjellë e tava të ndryshme, sallata apo edhe turshi, patëllxhanët të mrekullojnë me shijen e tyre fantastike në çdo recetë gatimi.

Agroweb.org ju sugjeron më poshtë përgatitjen e patëllxhanëve të pjekur me djathë, një recetë e thjeshtë dhe shumë e shijshme.

Kjo recetë kërkon pak kohë në përgatitje dhe është një kombinim i shkëlqyer i patëllxhanëve dhe djathit të bardhë, vezëve dhe erëzave.

Përgatitja e Patëllxhanëve me Djathë

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

1 kg patëllxhanë

4-5 lugë gjelle me djathë të bardhë të thërrmuar

2 kokrra vezë

2 filxhanë kafeje me vaj ulliri

Pak gjalpë të freskët për spërkatje

Kripë

Piper i zi

Piper i kuq

Majdanoz

Përgatitja

Patëllxhanëve u hiqen bishtat dhe priten në dy pjesë për së gjati.

Për të larguar hidhësinë e tyre, vendosen në një enë me ujë me kripë dhe lihen aty për gjysmë ore.

Më pas kullohen dhe skuqen lehtë ose futen në furrë të spërkatura me vaj ulliri, kripë dhe me pak ujë që të zbuten.

Ndërkohë, përgatisim mbushjen.

Në një enë rrahim vezët.

Shtojmë djathin e thërrmuar (nëse preferoni AgroWe.org ju sugjeron që të përdorni edhe djathë kaçkavall në vend të djathit të bardhë), majdanozin e grirë hollë dhe piperin e zi dhe të kuq.

Më pas, patëllxhanët e zbutur në furrë, mbushen me masën e përgatitur, vendosen që të piqen në furrë dhe sipër spërkaten me pak gjalpë.

Nëse preferoni në masën e mbushjes mund të shtoni edhe 1 domate të prerë në kubikë të vegjël.

Patëllxhanët e pjekur me djathë shoqërohen në mënyrë fantastike me sallata të freskëta të stinës, sallatë ullinj, turshi të ndryshme, bukë të thekur etj.

Artikulli i mëparshëmÇmenduria e tifozit të Bajernit, rrezikon jetën për të parë ndeshjen e kontrollit
Artikulli i radhësNgjiti Beneventon në Serinë A, Inzaghi kërkon futbollistin e Milanit